UEFA, hetim për koret raciste në Rusi

E publikuar: 03/10/2015 13:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

UEFA do të hetojë thirrjet raciste dhe me sfond politik të tifozëve të Lokomotivës së Moskës, në ndeshjen e së enjtes në Europa League kundër Skënderbeut.

Thirrjet “vritini shqiptarët” apo “Kosova është Serbi”, të cilat iu vunë në dukje gjyqtarit nga lojtarët e ekipit korçar janë përfshirë në raportin e delegatit të konfederatës europiane së futbollit. Dosja do t’i kalojë për shqyrtim Komisionit të Disiplinës dhe Etikës pranë UEFA-s. Dënimi i parashikuar për ngjarje të tilla është mbyllja e sektorëve nga janë lëshuar thirrjet anti-shqiptare dhe gjobë financiare, ndërsa në rast se ngjarja përsëritet, Lokomotiva e Moskës do të detyrohet ta luajë ndeshjen e ardhshme me dyer të mbyllura.

Klubi rus kërkoi ndjesë publike për ngjarjen, duke dënuar sjelljen raciste të grupit të tifozëve dhe kërkoi nga mbështetësit e tjerë skuadrës që të mos i bashkohen sjelljeve të tilla anti-sportive. UEFA ka njoftuar se është ende në pritje të raporteve zyrtare nga delegati dhe gjyqtari i ndeshjes, ndërsa masat disiplinore ndaj ekipit të Lokomotivës do të bëhen publike javën e ardhshme.

Diskriminimi dhe dhuna në stadiume janë një prej problemeve madhore në Rusi. Gjatë sezonit të kaluar, CSKA-ja e Moskës u detyrua të luante tre ndeshje pa tifozë në Champions League.