
Konfederata evropiane e futbollit, UEFA ka dalë me një deklaratë për anulimin e penalltisë së Julian Alvarezit të Atletico Madridit në ndeshjen e 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve ndaj Real Madridit.
“Edhe pse minimalisht, futbollisti ka pasur kontakt me topin me këmbën e tij me të cilën qëndronte, para se ta godiste me tjetrën, siç shihet në videoklip. Nën rregullin aktual, VAR-i e ka thirrur gjyqtarin për të sinjalizuar se goli duhet të anulohet”, thuhet në njoftim të UEFA-s, siç ka raportuar gazetari i famshëm Fabrizio Romano.
Në deklaratë të UEFA-s, thuhet po ashtu se konfederata evropiane do të nisë diskutimet me FIFA-n për të vendosur nëse rregulli duhet të rishikohet kur bëhet fjalë për prekje të dyfishtë krejtësisht të paqëllimshme.
Real Madridi eliminoi Atleticon për t’u kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve të mërkurën mbrëma, aty ku do të takohet me Arsenalin. Los Blancos fituan në penallti 4:2, por kualifikimi i tyre u kontestua shumë.
Atleticos iu anulua penalltia e Julian Alvarezit, pasi sipas vendimit të VAR-it, e preku topin dy herë me këmbë gjatë ekzekutimit. Megjithëse, një gjë e tillë është e vështirë për t’u vërejtur me sy të lirë.
E kjo nxiti reagim të ashpër të trajnerit të Atleticos, Diego Simeone.