Shkruan Berat Buzhala
Ademi për momentin nuk ka shpëtim. Ai gjendet në mes të një oqeani i rrethuar me peshkaqej. Për këtë arsye duhet të zgjedhë nëse dëshiron ta fundosë edhe partinë, a vec vetën. Të dy këto opcione duken të mira
Për Adem Grabovcin tashmë u thanë të gjitha. I thanë të gjithë. Kryesisht në Facebook, i cili është shndërruar në platformë fantastike për aktrim, për sharje, fyerje, shfryerje etj. E keqja e Facebook’ut është që nuk ofron zgjidhje. Është si një kontejner i emocioneve. Mijëra statusa, miliona llajka, mbesin aty. Gjendja nuk lëviz asnjë milimetër nga vendi.
Që do të thotë Adem Grabovci vazhdon të mbetet zyrtar i lartë i PDK’së, nënkryetar, si dhe deputet dhe Shefit i Grupit Parlamentar, i njohur ndryshe edhe si Shefi i Shefave t’Shefave.
Po të ishte për rrjetet sociale, tash Ademi do të gjendej në Dyz duke medituar. Por jo. Ai duhet të jetë dikund në bjeshkë, në ndonjë piknik.
Duke qënë i varur kronikisht nga rrjetet sociale, ose nga interneti, e konsideroj vetën të vëmendshëm në këtë drejtim. Mundohem të shikoj postimet e miqve të mi, ose te personave publik, për të marrë vesh se kah po shkon disponimi, përtej mllefit dhe patetizmave.
Sigurisht që këto ditë në trend ishte mbiemri Grabovci, në të gjitha trajtat. Patjetër në pezhorativ. Por të gjitha sharjet, kritikat, vinin nga ata që edhe para përgjimeve telefonike kishin pasur të njëjtin mendim për të. Ata tash e urrejnë dyfish. Kaq. Por unë nuk po shoh njerëz të PDK’së që po distancohen prej këtyre veprimeve. Këtu po mendoj në kryetar degësh, në deputetë të partisë, ministra etj.
Unë shkruajta javën e kaluar se imazhi i Grabovcit do të qëndrojë i paprekur te militantët e PDK’së. Ai do të konsiderohet si një njeri që të shtinë në punë, një plagë kjo kaq e thellë në shoqërinë tonë, e për të cilën Ademi e ka ilaçin. Por sigurisht që ai nuk do të arrijë t’i punësojë të gjithë Kosovën. Nëse e ka ndonjë ide për ketë është mirë të na e thotë. Atëherë nuk do të kërkojmë që të jep dorëheqje, por që të bëhet Kryeministër. Mirëpo ai qartazi nuk e ka ketë ilaç.
Për këtë arsye nëse militantët do ta adhurojnë atë, të pavarurit, ata të papërcaktuarit, ata që nuk e kanë numrin e tij të telefonit, ata që janë të papunë do të irritohen prej këtyre sjelljeve. Kështu, Adem Grabovci do të përfitojë politikisht brenda subjektit të tij politik, kurse PDK do të niset drejt rrugëve të parrehura më parë.
E tash topi është në oborrin e partisë. Që të jemi më të saktë për topin, ai gjendet në oborrin e Grabovcit, por partia ka të drejtë t’ia marrë atë për ta gjetur një zgjidhje praktike ndaj kësaj gjakderdhje enorme, së paku derisa të kalojë stuhia. Të shpëtohet cfarëdo që mund të shpëtohet, nëse ka mbetur edhe më tutje dicka që mund të shpëtohet.
Nuk ka asnjë strategjist në këtë botë që do të mund të gjente metoda për të fituar debatet televizive për ketë cështje. E vetmja rrugë është dorëheqja. Grabovci duhet të zhduket nga mediat, në mos nga Kosova, derisa organet e drejtësisë ta thonë fjalën e tyre. Kurse dorëheqja duhet të jetë e plotë. Nga të gjitha pozitat.
Pastaj, kur kjo të ndodhë, PDK do të mund të drejtojë gishtin kah subjektet tjera politike, që gjithashtu nuk qëndrojnë fare më mirë në këtë drejtim, por që së paku nuk janë zënë në biseda të tilla telefonike.
Thuhet se “pehlivanit ia han krytë zanati i vet”. Ademi ka rënë viktimë e zanatit të tij./express/