U prezantuan si të njohur dhe i morën 40 mijë euro përmes mashtrimit, arrestohen 3 persona, 2 të tjerë në kërkim

E publikuar: 11/01/2026 20:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tre persona janë arrestuar nga policia e Tiranës, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim, pasi përmes mashtrimi i morën shumën prej 40 mijë eurosh një 55-vjeçari.

Ngjarja ka ndodhur në rrethrrotullimin e Rinasit, ndërsa policia thotë se autorët komunikuan përmes një aplikacioni dhe u prezantuan si persona të njohur.

Katër nga të autorët janë shtetasit Krenar Toromeni, Ilia Gjini, Artur Lecini dhe Elton Rrushi.

Ndërkohë në vijim, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Artur Lecini ku është gjetur dhe shtetasi Elton Rrushi, është zbuluar një ambient i përshtatur me pajisje elektrike, për kultivim të bimëve narkotike.

“Në kuadër të operacionit, shërbimet e Policisë kanë gjetur e sekuestruar dhjetëra bimë Cannabisi, pajisje (llamba dhe ventilatorë) që shërbenin për kultivimin e tyre në ambiente të mbyllura, sasi Kokaine dhe Cannabisi, 4 celularë dhe 1 automjet tip “Audi Q5”, thotë policia. /Panorama

Njoftimi:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Skema”.

I morën një shtetasi, te rrethrrotullimi i Rinasit, 40 000 euro, duke e mashtruar nëpërmjet komunikimeve në një aplikacion se ishin të njohur të tij, identifikohen 5 shtetas, vihen në pranga 3 prej tyre, shpallen në kërkim 2 të tjerë.

Zbulohet një ambient (dhomë banese) i përshtatur nga njëri prej të arrestuarve, me pajisje elektrike, për kultivim të bimëve narkotike.

Arrestohet për moskallëzim të krimit, 1 shtetas që u gjet në këtë ambient.

Sekuestrohen dhjetëra bimë Cannabisi, pajisje (llamba dhe ventilatorë) që shërbenin për kultivimin e tyre në ambiente të mbyllura, sasi Kokaine dhe Cannabisi, 4 celularë dhe 1 automjet tip “Audi Q5” me të cilin 5 shtetasit janë larguar pasi morën shumën e eurove.

Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posacme Operacionale në DVP Tiranë, Komisariatet e Policisë të Kavajës dhe Divjakës, pas administrimit të kallëzimit nga një 55-vjeçar, se ishte mashtruar nga disa shtetas të panjohur prej tij, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Skema”, në kuadër të të cilit u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit:

-K. T., 36 vjeç, banues në Divjakë, I. Gj., 24 vjeç, banues në Divjakë, A. L., 39 vjeç dhe E. Rr., 38 vjeç, banues në Kavajë. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. B., 34 vjeç dhe L. M., 35 vjeç.

Shtetasit K. T, I. Gj, A. L, E. B dhe L. M, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në anë të mashtrimit duke iu prezantuar si i njohuri i tij, i kanë marrë shumë prej 40.000 euro një 55-vjeçari.

Në vijim, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. L, ku është gjetur dhe shtetasi E. Rr, është zbuluar një ambient i përshtatur me pajisje elektrike, për kultivim të bimëve narkotike.

Në kuadër të operacionit, shërbimet e Policisë kanë gjetur e sekuestruar dhjetëra bimë Cannabisi, pajisje (llamba dhe ventilatorë) që shërbenin për kultivimin e tyre në ambiente të mbyllura, sasi Kokaine dhe Cannabisi, 4 celularë dhe 1 automjet tip “Audi Q5”.

Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të rastit.