Departamenti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë nisi këtë të shtunë procesin e autopsisë për 9 të vrarët në Kumanovë.
Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu konfirmoi për Gazetën Tribuna se deri tani ka përfunduar autopsia 7 të vrarët në rastin e Kumanovës, ndërsa brenda tri orëve pritet që të përfundojë edhe autopsia për dy të tjerët.
Me kërkesë të familjes, siç konfirmohet nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, i pari që iu nënshtrua autopsisë ishte Beg Rizaj dhe në orën 10 të ditës së diel familjarët kanë tërhequr trupin e tij.
Varrimi i Beg Rizaj do të bëhet në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan të Deçanit, është konfirmuar edhe nga Këshilli Organizativ për organizimin e ceremonisë së varrimit.
Ndërkohë, organizatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një takim të përbashkët me familjarët të shtunën kanë vendosur që Xhafer Zymberi, Mirsad Ndrecaj, Valon Kabashi, Turgaj Gashi, Samid Kastrioti, Hysen Rushiti, Fatlum Vishesella, Arben Rexhaj të varrosen në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Prishtinë.
Trupat e pajetë të 9 shtetasve kosovarë të vrarë më 9 maj në Kumanovë u kthyen në Kosovë mëngjesin e së premtes./Gazeta Tribuna/