Shumë e kanë përshkruar si “bishë”. Madje, konsiderohej si person i “frikshëm”. Por, legjenda e boksit, Mike Tyson, është treguar shumë i butë me një shqiptar në New York. Artmir Matoshi rrëfen për “Zërin” një takim që e kishte me ish-kampionin absolut botëror, i cili e njeh mirë mentalitetin e shqiptarëve. Madje, i do “Shqiponjat”.
Shumë e kanë përshkruar si një “makineri shkatërruese”, “të hekurt”, si “bishë”. Dhe nëse i shikon luftërat e tij dhe jetën të cilën ai e ka bërë, këto epitete i shkojnë shumë për shtati.
Mike Tyson është ish-kampioni absolut botëror në peshat e rënda, i cili ishte bërë kampioni më i ri botëror në vitin 1986 me vetëm 20 vjet. Për disa vite mbajti të gjithë titujt e kampionit në të gjitha kategoritë, shkruan Zëri.
Ndërsa, jeta jashtë ringut më pas e kishte bërë të njihej në publik si person i “frikshëm”. Por ja që edhe më të fortit si duket zbuten. Tani si 49-vjeçar edhe pse tatuazhi në fytyrën e tij mund t’ju frikësojë, ai duket se ka ndryshuar tërësisht.
Për Tysonin, sjelljen e tij dhe atë që ai di për shqiptarët, në një rrëfim ekskluziv për “Zërin”, ka treguar shoferi kosovar i një kompanie të madhe transportuese në New York, Artmir Matoshi.
22-vjeçari i cili tani e disa vite studion dhe punon në SHBA, si klient të fundit për gjysmë ore e ka pasur legjendën e boksit, Mike Tyson.
Tyson, tashmë njeri i ndryshuar
22-vjeçarit nga Prishtina, Artmir Matoshi, shumë shpesh i bie që në makinën e tij të ketë yje të filmit dhe sportit. Mirëpo, asnjëherë më parë nuk kishte pasur dikë të kategorisë së Mike “Iron” Tyson.
“Kur e kuptova që klienti im ishte Tyson, u emocionova pak pasi që Tyson është emër i madh. Të gjithë jemi rritur me të dhe atë që ai ka bërë në boks”, ka thënë Matoshi. Megjithatë, emocionet i tij u larguan në momentin e parë që ra në kontakt ne legjendën e boksit.
“Ai hipi në veturë së bashku me gruan dhe kishte një cigare ndezur. Kur e kuptoi që kishte cigaren ndezur, ai e fiku menjëherë dhe më kërkoi falje disa herë radhazi. Unë i thashë se nuk ka problem për ty edhe mund ta mbash. Por ai tha: jo. Nuk ka shans”, rrëfen Matoshi për Zërin.
Ai thotë se aty e kuptoi që kishte të bënte me një njeri të ndryshuar. “Gjatë gjithë kohës fliste me gruan e tij në mënyrë shumë të sjellshme, por edhe me mua. Interesohej të më pyeste për jetën time private dhe fliste me shumë edukatë”, tregon ai.
Tyson më tha se i do shqiptarët
Biseda me legjendën e boksit nuk kishte përfunduar aty. Gjithçka kishte nisur të bëhej më interesante kur Tyson e kuptoi se ai ishte shqiptar.
“Duke biseduar më pyeti se nga jam. I thashë që jam shqiptar. I thashë që në Shqipëri dhe Kosovë të gjithë e njohin. Të gjithë e duan dhe flasin për të. Je ikonë atje”, rrëfen 22-vjeçari nga Prishtina, i cili më pas shton:
“Aty ai u prek shumë. U emocionua dhe më tha se e vlerëson shumë këtë gjë dhe se është i nderuar. Aty nisi të më flasë edhe për shqiptarët”, tregon Matoshi për Zërin.
Në Kosovë të gjithë e njohin boksierin Elvir Muriqi, i cili ka pasur një karrierë të mirë atje. Mirëpo, tani po vjen edhe një talent shumë i madh shqiptar në SHBA, Reshat Mati. A i njeh legjenda e boksit këta dy boksierë?
“Duke folur për shqiptarët Tyson më tha se njeh shumë boksierë të mirë shqiptarë. Ai mu drejtua me fjalët:
‘Padyshim që i njoh shqiptarët. Ata kanë zemër të madhe dhe të guximshme’”, rrëfen Artmiri. Matoshi në fund e ka pyetur legjendën e boksit nëse ende e praktikon fenë islame, dhe përgjigja e tij ishte befasuese, përcjell Zëri.
“Po. Çdo të premte shkoj në xhami, më tha Tyson”, zbulon ai. Krejt në fund legjenda e boksit duke qenë se kishte kaluar një vozitje të mirë më prishtinasin 22 vjeç ishte treguar shumë dorëlirë.
“Pasi e dërgova në destinacion. Më përqafoi disa herë. Bëmë një fotografi bashkë dhe më la bakshish një shumë të konsiderueshme parash”, përfundon rrëfimin e tij, Artmir Matoshi. /Zëri/