Turqi, Gjermani, Zvicër- tre sulme të lidhura terroriste?

E publikuar: 20/12/2016 12:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bota në një ditë u përball me tri sulme- në Turqi, Gjermani dhe në Zvicër, të cilat me shumë konsideratë theksohet të kenë sulme terroriste.

Të tre sulmet janë dënuar nga përfaqësuesit e SHBA-së, OKB-së dhe BE-së.

Në Ankara, ambasadori rus në Turqi, Andrei Karlov, u vra nga të shtënat me armë në hapjen e ekspozitës së fotografive ruse.

Ministria e Jashtme ruse ka vlerësuar në mënyrë të qartë se ky ishte një akt terrorist.

Presidentët rusë dhe turq, Vladimir Putin dhe Rexhep Tayyip Erdogan janë pajtuar se vrasja e ambasadorit kishte për qëllim prishjen e marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe prishjen e bisedimeve për të ardhmen e Sirisë.

Putin tha dje se Moska ka për të gjetur se kush ishte pas vrasjes së ambasadorit të Rusisë.

“Ne kemi nevoje të gjejmë se kush ishte prapa vrasjes”, ka thënë kreu i shtetit rus.

Kryeministri rus Dimitry Medvedev tha se sulmi vdekjeprurës terrorist përbën një rast urgjent në marrëdhëniet ndërkombëtare, transmeton Indeksonline.

Kurse në të njëjtën ditë në orët e vona në Berlin, një shofer kamion në parkun e Krishtlindjeve la të vrarë 12 persona dhe të plagosur 50 të tjerë, teksa në Cyrih të Zvicrës të paktën tre persona janë plagosur nga të shtënat në një qendër islame,dhe sulmuesi u gjet i vdekur pas sulmit.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel sot theksoi se sulmin në Berlin e konsideron terrorist dhe që meriton të dënohet.

Duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave, Merkel theksoi se nuk do të ketë ndryshim të politikave në drejtim të refugjatëve as pas këtij rasti.

Sulmuesi në Berlin është identifikuar të ketë qenë një 23 vjeçar pakistanez Naved B, i cili vitin e kaluar kishte shkuar në Gjermani si refugjat nëpërmjet rrugës ballkanike.

Kurse në bazë të përditshmes gjermane ‘Die Welt’, autoritetet e sigurisë kishin informacione se kjo ngjarje mund të ketë qenë një sulm terrorist, dhe madje i planifikuar me qëllim në festën e Krishtlindjeve.

Po ashtu herët në mëngjes, një njësi speciale e policisë gjermane ka bastisur një hangar të përdorur si qendër refugjatësh, por ky aksion ka kaluar pa arrestime.

Ndërsa pothuajse gjithë krerët e shteteve të botës kanë ngushëlluar gjithë këto vende për sulmet terroriste që ndodhën brenda një dite e që shokuan çdo njeri në botë./Indksonline/