Janë zbardhur të tjera detaje nga hetimet për vrasjen e dy turistëve çekë, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së premtes në afërsi të fshatit Prekal në zonën e Dukagjinit në Shkodër.
Nga hetimet deritanishme mësohet se dy turistët janë vrarë me plumba pas koke, çfarë përforcon dyshimet se një nga autorët kryesorë të kësaj ngjarjeje ishte personi që po udhëtonte, si shoqërues apo si pasagjer, së bashku me turistët.
Dyshimet e policisë janë se në këtë krim të shëmtuar kanë marrë pjesë dhe persona të tjerë që u kanë ngritur pritë turistëve.
Aktualisht, aksionet e policisë dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë vazhdojnë në gjithë zonën e thellë malore, duke bërë krehjen e gjitha vendeve të dyshimta. Deri në këto momente janë shoqëruar në Policinë e Shkodrës rreth 35 persona, që dyshohet se kanë lidhje apo dijeni për ngjarjen.
Vetëm dy ditë para se të vriteshin, çifti nga Çekia kishte publikuar në faqen e tyre në Facebook një album të titulluar “Përshendetje nga Ballkani”, me fotot më të bukura nga udhëtimi i tyre turistik në malësitë e Shkodrës dhe plazhin e Rrjollit. Më pas ata kanë udhëtuar drejt zonës së Vermoshit dhe pastaj në Dukagjin, që për fat të keq ishte dhe udhëtimi i tyre i fundit.
Çifti i turistëve çekë, që u vranë të premten në mbrëmje, nuk janë të vetmit që kanë pasur Dukagjinin si udhëtimin e fundit.
Në vitin 2001 tre turistë çekë u vranë dhe u zhduken në fshatin Theth, dhe ende sot nuk dihet se ku janë trupat e tyre, ndërsa në gusht të një viti më parë një turiste çeke, Martina Mala, u plagos rëndë me armë zjarri në një lokal nate, në plazhin e Velipojës.
Në muajin qershor të vitit 2014 një tjetër turist çek u aksidentua për vdekje, ndërsa një 26-vjeçar, në muajin maj të këtij viti, humbi jetën në lumë, në zonën e Dukagjnit, aksidentalisht duke bërë rafting.
/ Top Channel