Numri i trupave të gjetur në kamionin e braktisur në një autrostradë të Austrisë është edhe më i madh nga sa u mendua fillimisht.
70 kufomat e mbyllura në mjetin frigoriferik, me të gjitha gjasat janë emigrantë, por verifikimet vazhdojnë. Autoritetet austriake, ndërkohë, po përpiqen të përcaktojnë nëse vdekjet kanë ardhur si pasojë e asfiksimit, apo kanë ndodhur që përpara se trupat të vendoseshin në kamion.
Fillimisht u mendua se mjeti mbante 20 deri në 50 viktima, por numri i fatkeqëve rezulton të jetë edhe më i lartë se kaq.
Trupat në proces dekompozimi u zbuluan të enjten, pasi policia dërgoi disa efektivë të kontrollonin kamionin e ndaluar në anë të autostradës A4, që çon për në Vjenë.
Mendohet se, personat brenda tij duhet të kenë qenë të vdekur prej gati dy ditësh, e ndoshta asnjëri prej tyre nuk ka qenë i gjallë në momentin kur mjeti kaloi kufirin austriak nga Hungaria.
Ekipet mjekoligjore kanë punuar përgjatë gjithë natës për të ekzaminuar trupat e gjetur. Tani, përpjekjet e forcave të rendit janë përqëndruar te gjetja e shoferit, e për këtë qëllim, policia austriake po bashkëpunon me atë hungareze.
Kamioni mban logon e një kompanie sllovake shpezësh, Hyza, e cila pretendon se prej kohësh nuk e ka më në zotërim mjetin në fjalë, ndërsa blerësit duket se nuk e kanë hequr markën e saj.
Sipas Hans Peter Doskozil, shefi i policisë së provincës Burgenland, ku u gjet kamioni, thotë se ai ishte i tipit frigoriferik, e kjo nuk është zgjedhja tipike e trafikantëve për transportin e refugjatëve.
Kamioni me targë hungareze mësohet të jetë larguar nga Budapesti mëngjesin e së mërkurës. Me dhjetëra emigrantë, të larguar nga vende të përfshira prej konflikteve në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, janë përpjekur të hyjnë në Europë këto muajt e fundit.
Një pjesë e tyre u paguajnë shuma të majme parash trafikantëve, që t’i kalojnë në kontinentin e vjetër ilegalisht. Në samitin e zhvilluar me udhëheqësit e Ballkanit në Vjenë, Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh thellësisht e tronditur nga gjetja e kamionit me trupat e pajetë, të cilin e cilësoi “një lajm i tmerrshëm”.
Ky është paralajmërim për ne, që ta zgjidhim sa më shpejt ngërçin e emigrantëve në frymën europiane, që do të thotë një frymë solidariteti, u shpreh ajo.
/ Top Channel