Lajmet

Trumpi paralajmëron sulme “shumë më të fuqishme” nëse Irani refuzon marrëveshjen

06.05.2026 19:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Trumpi paralajmëron sulme “shumë më të fuqishme” nëse Irani refuzon marrëveshjen

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka paralajmëruar Iranin se do të përballet me sulme të “një niveli dhe intensiteti shumë më të lartë”, nëse nuk pajtohet me një marrëveshje paqeje, për të cilën raportohet se të dyja palët janë afër.

Mediat amerikane raportuan më 6 maj se Teherani dhe Uashingtoni janë afër arritjes së një marrëveshjeje për një memorandum njëfaqësh, që do t’i jepte fund luftës në Gjirin Persik.

Axios raportoi se marrëveshja do të përfshinte zotimin e Iranit për moratorium për pasurimin e uraniumit, pajtimin e Shteteve të Bashkuara për heqjen e sanksioneve dhe lirimin e miliarda dollarëve fonde të ngrira iraniane, si dhe heqjen nga të dyja palët të kufizimeve për anijet që lundrojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Trumpi duket se e konfirmoi se një marrëveshje është afër, në një postim në rrjetet sociale, ndonëse nuk dha hollësi.

“Duke supozuar se Irani pranon të japë atë për të cilën është rënë dakord — gjë që, ndoshta, është një supozim i madh — operacioni tashmë legjendar Epic Fury do të marrë fund, ndërsa bllokada shumë efektive do të mundësojë që Ngushtica e Hormuzit të jetë E HAPUR PËR TË GJITHË, përfshirë Iranin”, shkroi ai.

“Nëse nuk pajtohen, bombardimet nisin dhe, fatkeqësisht, do të jenë të një niveli dhe intensiteti shumë më të lartë se më parë”.

Operacioni Project Freedom

Komentet e Trumpit erdhën disa orë pasi ai njoftoi se operacioni i quajtur Project Freedom, për shoqërimin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, do të “pezullohet për një periudhë të shkurtër kohore”, pas “përparimit të madh… drejt një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare me përfaqësuesit e Iranit”.

Shtetet e Bashkuara e nisën Project Freedom për të rikthyer qarkullimin tregtar nëpër Ngushticën e Hormuzit, të cilin Irani e kishte ndalur, duke lënë mijëra anije të bllokuara në të dyja anët e ngushticës për javë të tëra dhe duke ndikuar në ekonominë globale.

Irani e bllokoi kalimin nëpër këtë rrugë jetike detare, duke kërcënuar se do të shënjestronte çdo anije që do të përpiqej të kalonte nëpër ngushticë pa pëlqimin e tij, si përgjigje ndaj fushatës ushtarake amerikane dhe izraelite kundër tij, e cila nisi më 28 shkurt.

Frika është rritur se ndërprerja e armiqësive, e shpallur gati një muaj më parë, është zhbërë, pasi Emiratet e Bashkuara Arabe — aleat kyç i SHBA-së në rajonin e Gjirit — raportuan për valë raketash iraniane, ndërsa sulme me dronë u raportuan kundër të paktën një anijeje në Gjirin Persik.

Një nga pengesat më të mëdha për arritjen e paqes thuhet se është fati i ambicieve bërthamore të Iranit. Uashingtoni kërkon që Teherani të heqë dorë nga uraniumi i tij, përfshirë uraniumin shumë të pasuruar, që mund të përdoret për ndërtimin e armëve.

Pekini më 6 maj përsëriti thirrjen për një “armëpushim gjithëpërfshirës” në konflikt dhe për rikthimin e kalimit normal nëpër Ngushticën e Hormuzit, ndërsa ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, nisi vizitën e tij të parë në Kinë që nga shpërthimi i konfliktit.

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, tha pas takimit me Araqchin në kryeqytetin kinez se Kina do të punojë “më shumë” për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të luajtur një “rol më të madh në rikthimin e paqes dhe qetësisë në Lindjen e Mesme”.

“Kina beson se ndërprerja e plotë e armiqësive është e domosdoshme, rinisja e konfliktit është e papranueshme dhe vazhdimi i negociatave është veçanërisht i rëndësishëm”, tha Wang, sipas një deklarate të ministrisë së tij pas bisedimeve, të cilat zhvillohen një javë para se Trumpi të takohet me homologun e tij kinez, Xi Jinping.

Kina varet shumë nga nafta e Lindjes së Mesme, e cila eksportohet dhe transportohet përmes Ngushticës së Hormuzit. Zyrtarët kinezë janë përfshirë në heshtje në përpjekjet për të ndihmuar në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje dhe për të rikthyer qarkullimin e anijeve./Radio Evropa e Lirë

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Gazi Amerikan dhe Kosova, a po humbasim një mundësi strategjike?

Gazi Amerikan dhe Kosova, a po humbasim një mundësi strategjike?

Haxhiu në shfaqjen e dokumentarit për Adem Shehin: Shqipëria ishte krah Kosovës në ditët më të vështira

Haxhiu në shfaqjen e dokumentarit për Adem Shehin: Shqipëria ishte krah Kosovës në ditët më të vështira

Zvicra nuk do të ulë numrin e ushtarëve në Kosovë

Zvicra nuk do të ulë numrin e ushtarëve në Kosovë

Mbi 90% e votave të numëruara, këto janë top-dhjetëshet e kandidatëve më të votuar

Mbi 90% e votave të numëruara, këto janë top-dhjetëshet e kandidatëve më të votuar

Kurti: 12 qershori, simbol i lirisë dhe i rrugëtimit historik të Kosovës

Kurti: 12 qershori, simbol i lirisë dhe i rrugëtimit historik të Kosovës

Sami Lushtaku për Sahit Jasharin: Do të kujtojmë gjithmonë

Sami Lushtaku për Sahit Jasharin: Do të kujtojmë gjithmonë

Endriti Thaçi publikon mesazhin e babait nga Haga për vdekjen e Sahit Jasharit

Endriti Thaçi publikon mesazhin e babait nga Haga për vdekjen e Sahit Jasharit

Gjykata Supreme hedh poshtë ankesën e anëtares së KQZ-së lidhur me votimin me dokumente të skaduara

Gjykata Supreme hedh poshtë ankesën e anëtares së KQZ-së lidhur me votimin me dokumente të skaduara

Irani mund të godasë bizneset e Muskut në Lindjen e Mesme

Irani mund të godasë bizneset e Muskut në Lindjen e Mesme

Homazhe në Skenderaj, figura politike dhe qytetarë nderojnë Sahit Jasharin

Homazhe në Skenderaj, figura politike dhe qytetarë nderojnë Sahit Jasharin

Limaj: 12 Qershori është dita që na rikthen në kujtesë sakrificën e madhe të popullit tonë

Limaj: 12 Qershori është dita që na rikthen në kujtesë sakrificën e madhe të popullit tonë

Hoxhaj: Më pranë se kurrë ditës kur çlirimtarët në Hagë do t’i kthehen Kosovës

Hoxhaj: Më pranë se kurrë ditës kur çlirimtarët në Hagë do t’i kthehen Kosovës

Dosja e prokurorisë ndaj 5 të akuzuarve që ngarkohen se vranë pesë civilë shqiptarë gjatë luftës

Dosja e prokurorisë ndaj 5 të akuzuarve që ngarkohen se vranë pesë civilë shqiptarë gjatë luftës

Hetimi për Zvërnecin, SPAK: Bllokohen 128 milionë euro transaksione për shitjen e tokës

Hetimi për Zvërnecin, SPAK: Bllokohen 128 milionë euro transaksione për shitjen e tokës

Osmani për 12 qershorin: Qofsh përjetë e bekuar Kosova jonë e dashur

Osmani për 12 qershorin: Qofsh përjetë e bekuar Kosova jonë e dashur

Ish-krerët e UÇK-së nga Haga ngushëllojnë familjen Jashari: Sahit Jashari i shërbeu atdheut në ditët më të vështira

Ish-krerët e UÇK-së nga Haga ngushëllojnë familjen Jashari: Sahit Jashari i shërbeu atdheut në ditët më të vështira