Stafi i fushatës së kandidatit republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se planifikon të shpenzojë rreth 10 milionë dollarë në reklama, këtë javë.
Trump, i cili ka shpenzuar shumë më pak se rivalja e tij demokrate, Hillary Clinton, do të nisë sot transmetimin e reklamave në nëntë shtete që janë të rëndësishme për t’i fituar zgjedhjet.
Në mesin e tyre bëjnë pjesë Ohajo, Pensilvania, Karolina e Veriut dhe Florida.
Në vitin 2012, kandidati republikan, Mitt Romney, i ka humbur tetë nga këto nëntë shtete kundrejt presidentit Barack Obama.
Hillary Clinton, prejse ka fituar nominimin e Partisë Demokratike në fillim të qershorit, ka shpenzuar mb 77 milionë dollarë në reklamat në televizion dhe radio.
Trump, ndërkaq, ka shpenzuar vetëm 5 milionë dollarë në reklama të tilla.
Gazeta New York Times ka raportuar se firmat e Trumpit kanë së paku 650 milionë dollarë borxhe.
Trump ka njoftuar po ashtu se do të mbajë një fjalim të madh për migracionin e paligjshëm më 31 gusht.