Kandidati republikan për president, Donald Trump “shpall” fitoren në debatin e parë, pavarësisht sondazheve të publikut që e nxirrin atë në një humbje me diferencë të thellë ndaj rivales demokrate, Hillary Clinton.
“Ne fituam çdo sondazh. Çdo sondazh, përveç atij në CNN. Dhe askush nuk e sheh CNN-in. Ne fituam çdo sondazh, CBS, Drudge, Slate, Time Magazine. Të gjithë pra dhe ky ishte një nder i madh”, tha Donald Trump.
Sondazhi, të cilin Trump e injoron, e nxori atë me 27% të shikuesve që e shpallnin fitues, përkundrejt 62% të pëlqimeve për Clintonin. Trump i fajësoi të gjithë përveç vetes. Ai u ankua për moderatorin Lester Holt, por edhe për mikrofonin që nuk i punonte.
Ndërsa kandidatja demokrate Hillary Clinton, rrugës për në ndalesën e parë elektorale pas debatit, mësohet se ka shpotitur fjalët e rivalit. “Kushdo që po ankohet sot për një mikrofon të prishur, duket qartë se nuk po kalon një mbrëmje të këndshme”, ka thënë ajo duke komentuar si të shkëlqyer mbarëvajtjen e debatit.
“Plot 80.9 milionë amerikanë e ndoqën debatin, duke shënuar një rekord të ri”, raportoi CNN. Shifrat, nëse konfirmohen, lënë pas debatin më të ndjekur në histori, atë Carter-Regan në vitin 1980, edhe pse analistët kishin parashikuar 100 milionë teleshikues.
* Dy kandidatët janë përplasur për herë të parë mbi çështjet e punësimit, temperamentit, taksave, dhe shumë të tjerave, në debatin e parë televiziv. E megjithëse pas debatit, Trump u tha reporterëve se Lester Hold bëri një punë të mirë, mëngjesin e sotëm ai e akuzoi atë për një performancë me njëanshmëri për të majtët. “Ai nuk e pyeti atë në lidhje me ‘e-mail’-et, nuk e pyeti në lidhje me skandalet, nuk e pyeti as për marrëveshjen e Bengazit. Shkurt, ai nuk e pyeti atë për shumë gjëra, për të cilat besoj se duhej ta kishte pyetur. Nuk e di pse nuk e bëri diçka të tillë”, tha ai duke folur mbi programin informativ “Fox and Friends”.
Trump është ankuar se Holt ka qenë shumë më i ashpër ndaj tij. “Ju e patë vet atë, i dëgjuat edhe 4 pyetjet e fundit. Ai më goditi mua mbi çështjen e lëvizjes ‘Birther’ (Trump akuzonte më parë Presidentin Obama se nuk ishte lindur në SHBA, por më pas e pranoi edhe vet shtetësinë e Obamës), më goditi për një marrëveshje strehimi të shumë e shumë viteve më parë, të cilën e kam zgjidhur pa bërë rekurs dhe pa fajësi. Është shumë bukur të pyetesh mbi atë çështje, një padi thuajse 40-vjeçare”.
Ndërsa për mikrofonin, ai u shpreh se ishte i “tmerrshëm”, që kërciste shpesh dhe që kishte një volum shumë më të ulët sesa ai i rivales së tij, Clinton. Ai fajësoi pikërisht mikrofonin, për atë që shumë dëgjues menduan se mund të vinte për shkak të problemeve shëndetësore, në rastin konkret ndonjë ftohje e Trumpit gjatë debatit.
I pyetur sesi do ta vlerësonte performancën e Clintonit, ai tha se do t’i jepte vlerësimin “C+”, por refuzoi të bënte të njëjtën gjë edhe për veten. “Mendoj se bëra më të mirën, kur ata më bënë pyetje normale”, tha ai, por shtoi se kishte hasur vështirësi kur iu bënë pyetje që nuk mund t’u “përgjigjeshe”. Se çfarë mund të bënte ndryshe, nëse do t’i jepej mundësia e ripërsëritjes së debatit, ai tha:
“Ndoshta do ta kisha sulmuar atë më ashpër në disa çështje. Ju e dini, u tregova paksa më i butë, sepse nuk doja të lëndoja ndienjat e dikujt. Megjithatë, mund ta kisha goditur edhe më ashpër atë dhe do ta bëj në debatet e ardhshme”.
/ Top Channel