Qeveria amerikane njoftoi sot nisjen e një programi të ri dhe ekskluziv të imigracionit të njohur si “Karta e Artë Trump”, i cili ofron një rrugë të drejtpërdrejtë drejt shtetësisë për të gjithë individët e kualifikuar dhe të verifikuar.
“Karta e artë Trump e Qeverisë së SHBA-së ka mbërritur sot! një rrugë e drejtpërdrejtë drejt shtetësisë për të gjithë individët e kualifikuar dhe të verifikuar. Kaq emocionuese! Kompanitë tona të shkëlqyera amerikane më në fund mund ta mbajnë talentin e tyre të paçmuar. Faqja do të lansohet brenda 30 minutash! trumpcard.gov”, njoftoi Trump në Truth Social.
“Me një tarifë përpunimi dhe, pas verifikimit nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS), një pagesë prej 1 milion dollarësh, ju bëheni të kualifikuar për të qëndruar në SHBA në kohë rekord përmes programit Karta e Artë Trump”, thuhet në faqen zyrtare të internetit.
Përveç “Kartës së Artë Trump”, administrata amerikane njoftoi një program edhe më ekskluziv – Kartën Platin Trump, të destinuar për të huajt më të pasur që duan të qëndrojnë në SHBA pa detyrime tatimore mbi të ardhurat e huaja. Programi vjen me një prag financiar shumë më të lartë dhe ofron atë që autoritetet amerikane e quajnë “niveli më i lartë i qasjes”.
“Aplikoni tani dhe siguroni vendin tuaj në listën e pritjes për Kartën Platin Trump. Me një tarifë aplikimi dhe, pas verifikimit nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, një kontribut prej 5 milionë dollarësh, do të keni mundësinë të qëndroni në SHBA deri në 270 ditë pa detyrimin për të paguar taksën amerikane mbi të ardhurat e fituara jashtë SHBA-së”, thuhet në faqen zyrtare të qeverisë amerikane.
Trump njoftoi futjen e të ashtuquajturave “karta të arta” në shkurt të këtij viti, një program i destinuar për të huajt që duan të investojnë në SHBA dhe të krijojnë vende të reja pune, raporton KosovaPress.
“Karta e artë” e re do të zëvendësojë programin ekzistues të imigracionit EB-5, i cili u lejonte investitorëve të huaj të merrnin qëndrim të përhershëm me investime të mëdha.


















