Trump: Microsoft në bisedime për të blerë TikTokun

E publikuar: 28/01/2025 10:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump ka thënë se Microsoft është në diskutime për të blerë TikTokun dhe se ai do të donte të shihte një “luftë ofertash” mbi shitjen e aplikacionit të mediave sociale.

Kur u pyet nga gazetarët nëse gjigandi i teknologjisë amerikane po përgatiste një ofertë, Trump u përgjigj: “Unë do të thosha po” – përpara se të shtonte se kishte “interesim të madh për TikTok” nga disa kompani.

Si Trump ashtu edhe paraardhësi i tij Joe Biden janë përpjekur prej vitesh të detyrojnë kompaninë kineze të TikTok, “ByteDance”, të shesë operacionet e saj në SHBA për arsye të sigurisë kombëtare.

Kjo vjen pasi Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv javën e kaluar për të vonuar një ndalim të administratës Biden për TikTok që e çoi shkurtimisht aplikacionin jashtë linje për 170 milionë përdoruesit e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pavarësisht se i dha TikTok një pezullim 75-ditor nga ndalimi, Trump ishte presidenti i parë që filloi të ushtronte presion mbi “ByteDance” për të shitur aplikacionin e tij.

Në gusht 2020, “ByteDance” iu afrua Microsoft-it si një blerës i mundshëm – diçka që shefi ekzekutiv i kompanisë amerikane e përshkroi më vonë si “gjëja më e çuditshme”.