Trump jashtë rrezikut pas incidentit në Pensilvani

E publikuar: 14/07/2024 02:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Kandidati për president të SHBA-së, Donald Trump, në momentin e incidentit. (Foto AP)

Kandidati për president të SHBA-së, Donald Trump, në momentin e incidentit. (Foto AP)

Një zëdhënës i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, tha se ai është jashtë rrezikut për jetën, pas një incidenti që ndodhi të shtunën, teksa fliste në një tubim në Pensilvani.

Disa media në SHBA raportuan për të shtëna.

Agjentët e Shërbimit Sekret e tërhoqën Trumpin nga skena me të dëgjuar të zhurmave dhe e larguan me një automjet që e priste.

Trump dukej i gjakosur në njërën pjesë të fytyrës.

Policia e armatosur doli në podium menjëherë.

Shërbimi Sekret tha përmes një deklarate se Trump është i siguruar dhe se masat për mbrojtjen e tij janë zbatuar.

Ai shtoi se hetimet janë në zhvillim e sipër dhe se informacione të mëtejshme do të publikohen kur të jenë të disponueshme.

Trump, kandidat i Partisë Republikane për president në zgjedhjet e ardhshme të nëntorit, po u drejtohej mbështetësve të tij në Batlër të shtetit të Pensilvanisë.

Një zëdhënës i tij tha për CNN-in se Trump është mirë dhe nën kujdesin e mjekëve.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, shkroi në X se “dhuna nuk ka vend në politikën tonë”.

“Sonte, të gjithë amerikanët janë mirënjohës që presidenti Trump duket se është mirë, pas një sulmi të neveritshëm në një tubim paqësor”, shkroi ai.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell, tha se është “tmerruar” nga ajo që i ndodhi Trumpit, por i lehtësuar që ai është jashtë rrezikut.

“Dhuna politike nuk ka vend te ne”, tha ai