Trump dhe Musk mbyllin qendrën kundër dezinformatave të huaja

E publikuar: 25/12/2024 11:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se Qendra Globale e Angazhimit (GEC) ka përfunduar veprimtarinë e saj dhe është mbyllur, siç u njoftua javët e fundit.

GEC ishte e vetmja zyrë e specializuar përgjegjëse për monitorimin e dezinformatave të huaja, por ishte kritikuar ashpër nga republikanët dhe Elon Musk, sepse u akuzua se shkonte përtej misionit të saj dhe synonte opinionet konservatore dhe kufizonte lirinë e fjalës.

Një zgjedhje që vjen drejtpërdrejt nga presidenti i zgjedhur dhe aleati i tij miliarder, edhe pse mbyllja zyrtarisht erdhi pas vendimit të Kongresit për të shkurtuar fondet.

E themeluar nga Barack Obama në vitin 2011 si Qendra për Komunikime Strategjike kundër Terrorizmit (CSCC), ajo mori emrin e saj aktual në vitin 2016 dhe në vitin  2017 – pas ndërhyrjes ruse në votimin për Shtëpinë e Bardhë – aftësitë e saj u zgjeruan gjithashtu.

Numëronte 120 njerëz që punonin në të dhe kishte një buxhet prej 61 milionë dollarësh.

Misioni ishte të udhëhiqte qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në “njohjen, kuptimin, ekspozimin dhe kundërshtimin e propagandës dhe përpjekjeve dezinformuese shtetërore dhe jo shtetërore të huaja që synonin të minonin ose të ndikonin në politikat, sigurinë ose stabilitetin e SHBA-ve, të aleatëve të saj dhe kombet partnere” në mbarë botën.

Vitin e kaluar, Musk, i cili që atëherë është bërë mbështetësi kryesor i Trump, tha se GEC përbën “një kërcënim për demokracinë amerikane”.

Siç shkruan Washington Post, duke rindërtuar ngjarjet që çuan në mbylljen e GEC, “në janar 2023 projekti Twitter Files, i mbështetur nga Elon Musk, e përshkroi Qendrën Globale të Angazhimit si të zellshme në lidhjen e tregimeve konspirative për coronavirus-in me fushatat ruse dhe dezinformatat kineze”.

Dhe përsëri: “Një raport i vitit 2024 nga një komitet i Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët kritikoi GEC për dhënien e granteve për organizatat, puna e të cilave përfshin monitorimin e dezinformatave vendase dhe të huaja dhe vlerësimin e besueshmërisë së botuesve amerikanë”.

“Për më tepër – shkruan gazeta– një padi e ngritur nga prokurorët e përgjithshëm republikanë të Misurit dhe Luizianës, e cila arriti në Gjykatën e Lartë si Murthy kundër Misuri fillimisht e emëroi GEC-në mes agjencive federale të akuzuara për presion në rrjetet sociale për të censuruar opinionet konservatore”.