Historia e trishtuar e Antonio Contes vazhdon të mbajë peng anën morale të trajnerit të Kombëtares Italiane. Edhe pse ish tekniku i Juventusit shpresonte që çështja gjyqësore në adresë të tij të mbyllej sa më shpejt, nuk ka ndodhur kështu, madje prokurori Roberto Di Martino ka kërkuar shtyrjen e gjykimit. Në këndvështrimin e organit të akuzës, disa çështje që lidhen me skandalin e trukimit të ndeshjeve do të mbyllen, disa të tjera do të arkivohen në një moment të dytë, por çështja Conte nuk bën pjesë në asnjë nga këto dy kategori. Gjatë muajve të fundit, mbrojtësit ligjorë të trajnerit kanë pasur takime të vazhdueshme me prokurorin duke u përpjekur të vërtetojnë tezën e tyre se nuk ka asnjë provë që të kryqëzojë Antonio Conten.
Ata kanë pranuar akuzën e mungesës së denoncimit që në këtë rast nuk ka rrezik penal dhe për të cilën trajneri u pezullua me 4 muaj por mesa duket beteja ligjore do të vazhdojë gjatë. Sipas prokurorit, akuzat ndaj tij për ndeshjet Novara-Siena dhe Albinoleffe-Siena janë me baza të forta. Conte e ka refuzuar në mënyrë kategorike përfshirjen e tij në këtë çështje sepse ai bëson në pafajësinë e tij. Tashmë, avokatët duhet të zgjedhin linjën që do të ndjekin për të arritur në një datë gjykimi përpara startit të Euro 2016 në mënyrë që Conte të punojë i qetë me Kombëtaren e Italisë përpara dhe gjatë evenimentit më të rëndësishëm futbollistik të kontinentit. Sipas mediave italiane, avantazhi i vetëm i 45-vjeçarit është se çështja ndaj tij nuk do të qëndrojë e hapur për shumë kohë dhe të gjitha gjasat janë që një vendim përfundimtar të jepet përpara nisjes së Europianit./ss/