Për herë të parë te tri paciente është kryer transferimi embrional dhe tani ato janë në pritje të konfirmimit të shtatzënisë. Këto tri gra i kanë kryer procedurat në repartin e Infertilizimit të Asistuar Mjekësor pranë Klinikës Obstetrike dhe Gjinekologjisë, i cili është përuruar para një viti.
Ndërsa, kjo klinikë po vazhdon të ketë mungesë të dy medikamenteve, të cilat pacientet që tashmë kanë kryer transferimin embrional, është dashur t’i sigurojnë ato vetë.
Përgjatë vitit 2025 në këtë repart rreth dy mijë paciente janë trajtuar, duke përfshirë analiza dhe procedura paraprake.
Udhëheqësi i Klinikës Obstetrike dhe Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj njofton se procedurat e IVF-it në këtë klinikë vazhdojnë normalisht pavarësisht vështirësive në furnizimin me disa preparate.
Ai thotë se krahas tri pacienteve që po presin konfirmimin e shtatzënisë, ka edhe paciente të tjera në listën e pritjes.
“Procedurat e IVF vazhdojnë me ritëm normal. Ato ndoshta janë zvogëluar, por jo sa kemi pritur. Deri më tash janë diku dy mijë paciente që kanë kërkuar ndihmë ose për nevojat e infertilitetit dhe kanë kryer shërbimet. Prej janarit e deri më tash janë 2 mijë paciente që kanë kaluar nëpër duart e mjekëve tanë edhe janë përgatitur, me një fjalë, janë përgatitur me analiza, me procedurat e nevojshme paraprake të cilat kanë nevojë për t’iu nënshtruar procedurës IVF. Disa janë klasifikuar dhe ndodhen në listën e pritjes, por ka pasur intervenim te disa të tjera të cilat janë më me prioritet. Janë bërë tri transfere te pacientet pas stimulimit dhe jemi në pritje të konfirmimit të shtatzënive të para. Kemi pritur një fluks më të madh, por nuk kemi mundësi për momentin për shkak të problemeve në tenderim dhe furnizim me preparate”, tha ai.
Ndrejaj thotë se tashmë janë bërë specifikimet e reja dhe pritet hapja e tenderit për të vazhduar procedurat.
E tri gratë të cilat tashmë vetëm pritet të konfirmojnë shtatzëninë medikamentet në mungesë i detyruan t’i siguronin vetë.
“Shumica e preparateve janë në barnatoren qendrore, ku është bërë furnizimi dhe i kanë përdorur pacientët. Ndërsa, dy preparatet të cilat presin të hapet tenderi, ato preparate ka mundësi që i kanë siguruar vetë pacientët. Janë dy preparate me kosto shumë të ulët, por për shkak që të mos ngecë puna, ato kanë shprehur vetë dëshirë dhe i kanë siguruar. Ndërsa, shumica e preparateve janë siguruar nga QKUK-së”, tha ai.
Drejtori i Klinikës së Obstetrikës dhe Gjinekologjisë, thotë se të gjitha aparaturat dhe procedurat janë funksionale, dhe mjekët janë të përgatitur për çdo intervenim.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se IVF nuk ishte ofruar më herët dhe se investimi në laboratorin dhe repartin e IVF është unik në Kosovë. Ai tha se sistemi është funksional dhe nuk ka kthim prapa, duke siguruar që çiftet të përfitojnë nga ky shërbim brenda vendit.
Në dhjetor të vitit të kaluar u përurua reparti i Fertilizimit të Asistuar Mjekësor. Deri tani në Kosovë shërbimi i IVF-të është ofruar vetëm në spitalet private.



















