U detyrua ta ndryshojë agjendën, por kryetarja e Gjykatës Speciale solli nga Haga në Kosovë disa informata te shumëpritura.
Ekaterina Trendafilova dha shifra dha detaje për rastin më të madh në këtë institucion, atë kundër katërshes së ish-liderëve politikë e ushtarakë të shtetit – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
“Ishte një informacion shumë mbresëlënës që u komunikua nga mbrojtja gjatë seancës së fundit statusore e që ishte publike, është se numri i faqeve të dëshmive po i ofrohet një milionëshit. Ky është një rast po ashtu me shumë dëshmitar. Prokurori për momentin po i konsideron më shumë se 380, mbrojtja ka të drejtë të sjellë prova e dëshmitar aq sa do të jenë të dobishme për rastin e tyre”, tha Trendafilova.
Gjyqtarja bullgare foli edhe për programin e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe dhënien e statusit të viktimave, vlerësimi i të cilëve tha se bëhet me kushte fort të rrepta.
Por, Trendafilova nuk e dha edhe datën se ku fillon ky proces, vetëm se paralajmëroi se kjo mund të ndodhë në fund të këtij viti apo fillimin e tjetrit.