Ambienti i të bërit biznes në Kosovë dita-ditës është duke u përmirësuar. Madje, Qeveria e Kosovës është duke punuar shumë në këtë drejtim, gjë e cila dëshmon që edhe numri i kompanive me pronarë të huaj në vend është trefishuar.
Kështu thonë zyrtarë të lartë nga kabineti qeveritar, derisa njohës të ekonomisë hedhin poshtë këtë qëndrim duke thënë se të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare Kosovën e paraqesin si vend jo të përshtatshëm për zhvillim të ekonomisë.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka thënë se nga 250 kompani të huaja të cilat kanë investuar në Kosovë rreth 2/3 e këtyre konsiderojnë se mund ta zgjerojnë biznesin e tyre dhe do tu jepnin rekomandim të tjerëve për të investuar në Kosovë.
E, që klima e të bërit biznes në Kosovë është përmirësuar e thotë edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa.
“Kur jemi te klima e biznesit po përmendi se në bazë të vlerësimeve të Bankës Botërore përmes projektit Doing Biznes Kosova rangohet në vendin e 65 nga 189 shtetet e ranguara që është një rangim i kënaqshëm mirëpo do të bëjmë përpjekje që në këtë listë të jemi më përpara”, ka thënë kryeministri Mustafa.
Që, numri i ndërmarrjeve të regjistruara në Kosovë ka shënuar rritje thuhet edhe në një publikim të Bankës Qendrore të Kosovës i cili është publikuar në shkurt të këtij viti. Në raport thuhet se numri i ndërmarrjeve të regjistruara në vitin 2015 ishte 9 mijë e 833 të tilla, e që paraqet 429 ndërmarrje më shumë se sa në vitin paraprak.