
Forca të shumta të xhandarmërisë së Serbisë, mëngjesin e 20 janarit të vitit 2013 larguan lapidarin e luftëtarëve të rënë të UÇPBM-së, i cili ishte vendosur më herët para kuvendit komunal të komunës në Preshevës.
Pas largimit të lapidarit situata atje ishte tensionuar por nuk është shënuar ndonjë incident.
Mediat në Serbi shkruanin atë kohë se kryeministri serb Ivica Daçiq, kishte deklaruar se pas skadimit të të gjitha afateve ligjore, me urdhër të ministrisë së Drejtësisë, pjesëtarët e xhandarmërisë “e kanë hequr lapidarin e vendosur në mënyrë jolegale në Preshevë”.
“Serbia ka treguar durim të mjaftueshëm por edhe ka dërguar mesazh të fuqishëm se ligji duhet të respektohet dhe se askush nuk është më i fortë se shteti”, kishte thënë Daçiq për mediat serbe.
Heqja e lapidarit kishte shkaktuar indinjatë edhe në Prishtinë ku të gjithë krerët e shtetit e dënuat heqjen e tij duke përfshirë edhe presidenten Atifete Jahjaga.
Madje Qeveria që në atë kohë udhëhiqej nga Hashim Thaçi kishte deklaruar se heqja me forcë e lapidarit, rrezikon dialogun Kosovë-Serbi
Kundër heqjes së lapidarit për të rënët e Luginës së Preshevës ishte deklaruar edhe Qeveria në Shqipëri.