Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, sot në orët e hershme të mëngjesit, ka realizuar një operacion policor nën dyshimin për veprat penale si: Fajde, neni 343 i KPRK-së, Detyrim, neni 340 i KPRK-së dhe Shmangie nga tatimi, neni 313 i KPRK-së.
Me këtë rast, sipas njoftimit për media të Policisë së Kosovës, hetuesit policorë në vazhdën e operacionit kanë kontrolluar tri shtëpi, një banesë si dhe tri lokale në Prishtinë.
“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente, kompjuterë, telefona dhe para të gatshme. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar tre persona. Personat e arrestuar janë; G. A. mashkull k/shqiptar i lindur më 11.01.1978, A. G. mashkull k/shqiptar i lindur më 05.02.1968 dhe A. B. mashkull k/shqiptar i lindur më 20.03.1965”, thuhet në njoftimin për media të Policisë së Kosovës, raporton Koha.net.
Personave të arrestuar me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Me vendim të Prokurorit, të tri lokalet e kontrolluara mbyllen përkohësisht.