Tre kandidatët e LVV-së nuk marrin votat për kryetar kuvendi, më i votuar Basha se sa Nagavci e Murati

E publikuar: 24/08/2025 12:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Seanca e sotshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, nisi me votimin për deputetin dhe ministrin në detyrë të financave, Hekuran Muratin, i cili përsëri nuk i morri votat për kryetar të Kuvendit.

Ai mori 55 vota, kundër 46 dhe 5 abstenime.

Pas dështimit, Murati propozoi ministren në detyrë të arsimit, Arbërie Nagavcin me arsyetimin që është ministre e jashtëzakonshme në fushën e arsimit.

“Meqë nuk ishte i suksesshëm votimi paraprak dhe tjera propozoj një kolege time nga kabineti qeveritar Arbërie Nagavci, ministre e jashtëzakonshme sa i përket reformave në fushën e arsimit e sidomos edukimit të hershëm të fëmijëve, ka zbatuar projekte të cilat kanë kryer punë dhe kanë ndërtuar çerdhe më shumë se të gjitha qeveritë tjera bashkë pasluftës. Nagavci është gjithashtu edhe përfaqësuese e këshillit të përgjithshëm në LVV ka edhe përvojën e duhur për të qenë zëri për bashkues”, tha Murati.

Por edhe pas këtij propozimi, me 55 vota për, 47 kundër dhe katër abstenime nuk kaloi as Arbërie Nagavci për kryetare të Kuvendit.

Nagavci propozoi deputetin e LVV-së, Dimal Bashën për kryetar kuvendi me arsyetimin se është i përgjegjshëm ndaj qytetarëve.

“Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve tashmë ka bërë katër propozime të katër deputetëve të ndryshëm për kryetar të Kuvendit, në tentimin e saj për të konstituuar këtë institucion. Meqenëse asnjëri nga ta nuk ka marrë besimin tuaj, propozoj një deputet të tre legjislaturave, i përgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe në adresim të interesave të tyre, deputetin Dimal Basha”, tha Nagavci.

Edhe pse votat ishin më ndryshe se për të tjerët për Bashën, ai prapë nuk kaloi. Me 57 vota për, 25 kundër dhe 24 abstenime.

Për ishin edhe Bekë Berisha i AAK-së e Arben Gashi i LDK-së.

Për shkak të dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, seanca shtyhet më 26 gusht në ora 11:00.