Në zyrat e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, së bashku me drejtorin ekzekutiv Albert Matoshi, të mërkurën, me 18 nëntor ora 15:00, kishim kënaqësinë të presim përfaqësues të një kompanie gjermane e cila që moti interesohet për të investuar në Kosovë. Zyrat e OEGJK-së gjenden në qendër të qytetit, afër sheshit “Zahir Pajaziti”. Bisedonim me investitorët e mundshëm gjerman, për disa problematika që kishin hasur dhe mundoheshim t’u ofrojmë ndihmën për zgjidhjen e tyre…. Deri këtu gjithçka normale.
Shkruan: Samir Krasniqi
Për një moment jashtë zyrës dëgjoheshin fishkëllimat, britmat, krismat, ndihej era e gazrave…. këto na përcollën gjatë gjithë takimit. Seç e ndjeja një siklet gjatë këtij takimi!. Në fakt më vonë kuptova se edhe Alberti e kishte të njëjtin siklet, se si do i përgjigjeshim pyetjes së mundshme të investitorëve nëse situata politike në Kosovë është stabile?!
Ajo çfarë po ndodhë ditëve të fundit në skenën politike të Kosovës, bllokada aktuale institucionale, përplasjet në mes të pozitës dhe të opozitës, trazirat që po ndodhin për momentin e parregullsi të panumërta,… të gjitha ndikojnë vetëm negativisht në ekonominë e vendit e në veçanti, në thithjen e investimeve të huaja.
Çfarë po u ofrojmë për momentin investitorëve të huaj të mundshëm? Pamje dhune, gaz lotsjellës, koktej molotovi, thyerje veturash, demolime, arrestime… këto janë mesazhet më të këqija që mund t’i jepen një investitori potencial. Kështu përçohet imazh negativ për Kosovën, ose thënë më mirë, kështu forcohet edhe më shumë imazhi negativ që ka Kosova te investitorët e shteteve të zhvilluara.
Thjesht, aty ku ka trazira politike nuk mund të ketë investime. Trazirat politike janë helm për ekonominë. Investitorët në radhë të parë kërkojnë siguri dhe stabilitet ekonomik. Investitorët e mundshëm do të largohen nga ideja e investimit në një vend jostabil. Investitorët që tanimë kanë investuar në këtë vend, i vëmë para dilemës, se a janë investimet e tyre të sigurta dhe mbi të gjitha a janë punëtoret e tyre të sigurt.
Sot investitorët e huaj që aktualisht janë në Kosovë, kanë argument të fuqishëm të fillojnë të ndjehen të pasigurt dhe të dyshojnë në funksionalitetin e shtetit dhe në stabilitetin politik.
Lobimin që e kemi bërë dhe e bëjmë të gjithë duke filluar nga institucionet e shtetit, pozita dhe opozita, komuniteti i biznesit dhe qytetarët e thjeshtë…. për të sjellë investitor në vendin tonë, me pamje të dhunës që po i përçojmë botës, do e humbasim dhe do e kthejmë në gjendjen zero. Kjo do të thotë se prapë duhet filluar nga e para t´i bindim investitorët e huaj se Kosova është një vend i qëndrueshëm dhe nuk ka krizë politike…. e më pastaj të konkurrojmë me vendet e rajonit për përparësitë që ofron vendi ynë!
Nëse nuk ka zhvillim ekonomik nuk ka shtet stabil. Për të pasur zhvillim ekonomik para se gjithash duhet të kemi shtet funksional në të gjitha aspektet!
PS. Investitorët në takim nuk e shtruan pyetjen nëse situata politike në Kosove është e qëndrueshme?!… Përgjigjen e morën rrugës duke u kthyer në Hotel….
(Autori, është president i Odës Ekonomike Gjermano – Kosovare)