Julen Lopetegui, trajneri i Spanjës, ka thënë se ndeshja ndaj Shqiprisë do të jetë e vështirë
Trajneri i Spanjës, Julen Lopetegui nuk i ka kursyer lëvdatat për Kombëtaren shqiptare. Ai ka deklaruar se Spanjën e presin dy sfida delikate, ndaj Italisë dhe Shqipërisë, të cilat do të zhvillohen në pak ditë distancë nga njëra-tjetra.
Sipas Lopetegui, skuadra që drejton do të duhet të bëjë një punë të vështirë, pasi përballë ka dy ndeshje delikate dhe shumë të rëndësishme për iberikët në kuadër të eliminatoreve për Botërorin “Rusi 2018”.
Në ditën që Spanja do të ketë përballë Italinë, Shqipëria do të luajë kundër Lihtenshteinit. Për momentin, të tria këto skuadra – Italia, Spanja dhe Shqipëria – janë në kuotën e tri pikëve, pas ndeshjes së parë që kanë fituar secila prej tyre.
“Na presin dy ndeshje delikate. Italia dhe Shqipëria janë dy rivalë shumë të vështirë”, është shprehur shkurt Lopetegui për mediat spanjolle.