Trajkoviq, Vuçiqit: Qe 10 vjet, të dyshuarit për krimet më të rënda i quani patriotë e heronj

E publikuar: 05/05/2023 11:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Rada Trajkovic SHBA-USA

Rada Trajkovic SHBA-USA

Politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka reaguar pas sulmit të mbrëmshëm në Serbi, ku mbeten të vrarë tetë persona e u plagosën 14 të tjerë.

Ajo i reagoi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke e rishpërndarë artikullin e “New York Times”, i cili e lidh Vuçiqin me botën e krimit, mafinë e huliganizmin, duke thënë se fytyra e Serbisë në botë në këtë ditë është shumë e shëmtuar.

Trajkoviqi i thotë Vuçiqit se për 10 vjet, ai ka promovuar plagjiatorë, mashtrues e dhunues.

“Prej 10 vitesh, nga postet më të larta në vend, promovoni mosndëshkimin e krimit dhe i quani të dyshuarit për krimet më të rënda patriotë dhe heronj dhe i mirëprisni në Kuvend”, shkroi Trajkoviq në Twitter, duke iu drejtuar Vuçiqit, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ajo tha se për një dekadë, Vuçiqi e nëpërkëmb çdo njëri të lirë në Serbi dhe se sipas saj, Serbia tash e 10 vjet është “në gjendje të jashtëzakonshme”.

Kujtojmë se mbrëmë në fshatin Dubona të komunës së Mladenovacit në Serbi, një 21-vjeçar i dyshuar ka shtënë me armë zjarri ndaj një grupi njerëzish duke lënë së paku 8 të vdekur e mbi 10 të plagosur.

Ndërkaq vetëm një ditë para kësaj ngjarjeje, të mërkurën, një nxënës 13-vjeçar hyri në shkollën e tij ku i ndiqte mësimet në Beograd dhe vrau 9 persona, nga ta 8 bashkëmoshatarë dhe një roje sigurie.