Trajkoviq: Marrëveshja për Asociacionin, integrim i plotë i serbëve në sistemin e Kosovës

E publikuar: 27/08/2015 11:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe në mesin e politikanëve serbë të Kosovës, ka dallime në intepretimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave serbe.

Ndërsa politikanët e Listës serbe pohojnë se marrëveshja është fitore e tyre, ata të opozitës mendojnë ndryshe.

Momçillo Trajkoviq nga Forumi Nacional Serb thotë se nuk ka arsye për kremtim, sepse sipas fjalëve të tij, marrëveshja është integrim i plotë edhe të serbëve edhe të institucioneve në sistemin e Kosovës.

“Të gjitha premtimet e pabesueshme që jipen në deklarata, flasin vetëm për atë që për momentin të qetësohet situata dhe të dalë në shesh thelbi i problemit, e kjo është se Kosova dhe serbët e Kosovës do të integrohen në sistemin politik të Kosovës. Kjo thjesht ndryshe nuk mundet dhe kjo në të vërtetë ka ndodhur në Bruksel”, tha Trajkoviq për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, transmeton qik-u.

Edhe Rangjel Nojkiq, kryetari i Lëvizjes së Rimëkëmbjes Serbe (SPO) në Kosovë thotë se nuk ka arsye për kremtim, por sipas tij ekziston një fije shprese dhe se ekzistojnë mundësi që të përmbushen pritjet e serbëve nga Bashkësia e ardhshme e komunave serbe.

“Ajo që tani është qensore ta dimë është nëse pas këtyre marrëveshjeve do të ndodhin ndryshime të disa akteve ligjore, përkatësisht të kushtetutës, nëse nuk ndodhin kurrfarë ndryshimesh atëherë druaj se Prishtina është më afër disa pohimeve të saj sesa që është Beogradi”, ka thënë Nojkiq.