Pamje nga vendi i ngjarjes nga tragjedia n’Cetinje. Foto: RCTG
Kryeministri i Malit të zi, Milojko Spajiq, ka shkuar në spital ku janë shtruar të plagosurit nga të shtënat me armë në Cetinja.
Spajiq bëri të ditur për televizioni publik malazez RTCG, se katër persona janë plagosur rëndë dhe kanë hyrë në operim.
“Një tragjedi e tmerrshme që na goditi të gjithëve. Tani për tani, të gjitha ekipet e policisë janë në terren. Po kërkojmë autorin, jemi në rrugën e duhur. Mjekët po luftojnë për katër jetë në QKKG. Të gjithë po i nënshtrohen operacionit tani dhe mjekët po luftojnë për jetën e tyre”, tha Spajiq, shkruan RTCG..
Kreu i qeverisë malazeze shpalli tri ditë zie, pas sulmit ku mbetën të vrarë shtatë persona, e që dyshohet se në mesin e viktimave janë edhe dy fëmijë.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në një tavernë, ku një person shtiu me armë zjarri dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia e Malit të Zi u ka bërë thirrje qytetarëve të Cetinjes që të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre, teksa njësitet policore janë në terren në kërkim të autorit të krimit.