
Presidenti amerikan Donald Trump ka mbajtur një fjalim në Shtëpinë e Bardhë pas përplasjes tragjike të një avioni pasagjerësh me një helikopter ushtarak në Uashington DC mbrëmjen e djeshme. Trump filimisht mbajti një minutë heshtje për viktimat dhe familjet e tyre.
“Ne jemi në zi! Ngjarja tronditi shumë njerëz”, tha Trump. “Ne sot jemi të gjithë një familje dhe zemrat tona janë copëtuar”.
Ai thotë se ka disa teori për atë që ka ndodhur, por shtoi se një hetim gjithëpërfshirë do të kryhet.
“Ne do të zbulojmë se si ndodhi kjo fatkeqësi dhe do të sigurohemi që një tragjedi e tillë të mos ndodhë më”, thotë ai, duke shtuar se Administrata Federale e Aviacionit (FAA), Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) dhe ushtria amerikane do të kryejnë një hetim gjithëpërfshirës.
Avioni i ”American Airlines” që po udhëtonte nga Wichita, Kansas për në aeroportin kombëtar ”Ronald Reagan” të Uashingtonit u përplas me helikopterin ushtarak teksa po i afrohej pistës pak para orës 21:00 të së mërkurës (02:00 GMT të enjten).
Të 64 personat në bordin e avionit të pasagjerëve të ”American Airlines” dhe të tre ushtarët në bordin e helikopterit të ushtrisë amerikane që u përplas mbi Uashington, dyshohet se kanë vdekur.