Tragjedia në Viti, babai akuzon bashkëfshatarin se ia nxiti djalin të bëjë vetëvrasje

E publikuar: 15/02/2018 18:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Enis Rrahmani nga fshati Verban i Komunës së Vitisë i dha fund jetës me litar të mërkurën që shkoi. Prindërit për herën e fundit e Enesin e kishin parë një natë më herët. Trupin e vdekur të të birit e kishte gjetur nëna e tij në oborrin e shtëpisë. Gazeta Express ka qëndruar në Verban ku ka folur me Hazbiun, babain e të ndjerit. Ai po e akuzon bashkëfshatarin Avdush Emërllahun se e nxiti të birin e tij drejtë vetëvrasjes duke i dhënë droga. Emërllahu është arrestuar, por policia nuk ka dhënë më shumë detaje për të.

Dhjetëra njerëz, pasditen e së enjtes, ia kishin mësyrë shtëpisë së Hazbi Rrahmanit, në fshatin Verban të Komunës së Vitisë. Po shkonin për ta ngushëlluar Hazbiun për djalin e tij. 17 vjeçari, Enis Rahmani, u gjet i vdekur në mëngjesin e së mërkurës  nga nëna në oborrin e shtëpisë.  Ai dyshohet se bëri vetëvrasje. Gazeta Express, të enjten ka qëndruar në shtëpinë e viktimës ku babai i tij Hazbiu ka rrëfyer për ngjarjen.

Babai i së ndjerit rrëfen se i biri i tij Enisi, për disa ditë rresht kishte qenë nën presionin e një bashkëfshatari të tij, emri i së cilit thotë se është Avdush Emerllahut. Çka, sipas babait të të ndjerit, e shtyu 17-vjeçarin drejt vetëvrasjes.

Thotë se Emërllahu i kishte dhënë drogë (lloji hashash), djalit të tij.

“Një katundar këtu e ka ngacmua djalin tonë. I ka dhanë hashash edhe ka ardh e ka ngacmu djalin. I ka dhanë djalit bari, e djali u tut prej meje me kallxu. Ai e ka lyp djalin, nuk ka mujtë me e gjetë”, rrëfen me lot në sy për vdekjen e djalit, Hazbi Rrahmani nga fshati Verban i Vitisë.

Ai tutje tregon se tri ditët e fundit, djali i tij, kishte qenë për vizitë tek dajët e tij. Thotë se në atë kohë, bashkëfshatari ia kishte kërkuar djalin. Sipas tij, djali i ishte larguar nga shtëpia mbrëmjen e së martës, për t’u gjetur i vdekur një ditë më pas nga nëna e tij, duke mos mundur të tregojë për mënyrën sesi ka kryer vetëvrasje

“Djali ka qenë te dajtë e tij ku ka nejtë dy ditë . Në ditën e tretë ka ardhë në shpi ka hangër sill (drekë), ka pi çaj, ka ndejtë me babagjyshin e tij, me gjyshen.  Atë ditë ia ka bajtë drutë nënës së tij. Unë kamë qenë në punë dhe pastaj ma se kemi pa. Kur jam kthy unë kamë dal e kamë lyp. Atë natë nuk e kemi gjetë. Por, në mëngjes kur është çu nana e vet, ka dal dhe të vdekur e ka gjetë pas shtëpisë. Ky katunari e ka emrin Avdush, i ka diku afro 42 apo 43 vjet. Djali ka ardhë më  babgjyshin e vet nga Dobreshi ku ka ndejtë dy netë”,tregon prindi i Enis Rrahmanit.  Enisi ka lënë pas edhe një vëlla tjetër.

Personi që po akuzohet nga familja është arrestuar dje

Një ditë pasi që i vdiq djali, babai i Enisit 17-vjecar, Hazbiu, po shpreson se organet e drejtësisë do ta zbardhin këtë rast. Thotë se i dyshuari kryesor mbetet fqinji i tij, Avdushi, i cili sipas tij është i moshës 43 vjeçare.

E personi të cilin po e akuzon familja për vdekjen e 17-vjecarit, u arrestua të mërkurën nga ana e policisë së Kosovës. Express, të enjten ka shkuar edhe në shtëpinë e të dyshuarit. Nëna e tij, i ka thënë gazetës, se i biri iu arrestua nga ana e organeve të hetuesisë të mërkurën në orët e para të pasdites.

“Avdushi nuk është këtu. Është në burg. Dje kanë ardhë e kanë marrë policia. Nuk e di për çka e kanë marrë.  Dje na kanë ardhë 20 policë ka ora 11 e mëngjesit dhe kanë qëndruar deri në 6 mbrëmje”, ka thënë nëna e Avdushit./gazetaexpress/