Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prizrenin mëngjesin e së martës. Një shtetas turk dyshohet se ka goditur me thikë dy vajzat e tij, 15 dhe 10 vjeçare, ku si pasojë e lëndimeve të marra, dyshohet se 15-vjeçarja ka vdekur në vendin e ngjarjes.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi i cili tha se edhe vajza 10-vjeçare është në gjendje të rëndë dhe ndodhet në QKUK.
Përveç dy vajzave, Bytyqi bëri të ditur se i dyshuari ka goditur edhe veten dhe ndodhet në spitalin rajonal të Prizrenit.
“Sot rreth orës 5:58 policia përmes telefonit ka marrë informatë që në rrugën Shote Galica në Prizren është një person i lënduar, ne drejtim janë nisur katër patrolla, qe me qellim me neutralizu personin me thikë ne dorë dhe në vendngjarje kanë kuptuar se janë tre persona të lënduar dhe dyshohet se babai ka lënduar me thikë dy vajzat e tij, një 15 vjeçare e cila ka ndërruar jetë në vend ngjarje dhe një 10 vjeçare e cila ndodhet në QKUK në gjendje të rendë”.
“Gjithashtu viktima ka lënduar edhe veten e tij dhe ndodhet në spitalin rajonal të Prizrenit. I dyshuari është arrestuar. Të gjithë janë shtetas turk me banim në Prizren”, tha Bytyqi.

















