Të paktën nëntë persona kanë mbetur të vrarë dhe së paku 25 janë plagosur nga të shtënat në një shkollë dhe një shtëpi në Kanada.
Gjashtë viktima u gjetën në Shkollën e Mesme Tumbler Ridge në Kolumbinë Britanike verilindore, thotë RCMP. Një tjetër vdiq gjatë rrugës për në spital, raporton BBC, transmeton KosovaPress.
Një individ që besohet të jetë qëlluesi u gjet gjithashtu i vdekur me atë që duket të jetë një lëndim i vetëshkaktuar.
Distrikti shkollor lokal ka lëshuar një deklaratë, duke thënë se mësimet janë anuluar për pjesën tjetër të javës për shkak të sulmit.
Ndërkaq policia ka deklaruar se është shumë herët për të identifikuar lidhjen midis shkollës dhe shtëpisë ku u gjetën viktimat.
“Ne besojmë se sulmet janë të lidhura, por nuk jemi në gjendje të japim një përgjigje të saktë tani, në këtë kohë, se cila mund të jetë ose jo kjo lidhje”.
Një nxënës nga Shkolla e Mesme Tumbler Ridge ka folur për CBC Radio Ëest lidhur me momentet kur ai dhe shokët e tij u “barrikaduan” brenda një klase gjatë sulmit me armë që rezultoi me viktima.
Darian Quist, nxënës i klasës së 12-të, ka treguar se kishte mbërritur në orën e mësimit rreth orës 13:30 sipas kohës lokale, kur në korridore u dëgjua një alarm me udhëzimin për të mbyllur dyert për shkak të një situate izolimi (lockdoën).
Quist thotë se dyert qëndruan të mbyllura për një kohë, përpara se ai dhe bashkëmoshatarët e tij ta kuptonin se situata ishte serioze. Ai shton se në telefonin e tij po merrte fotografi nga vendi i ngjarjes.
“Morëm tavolina dhe i vendosëm pas dyerve për t’u barrikaduar”, ka treguar ai për CBC, duke shtuar se qëndruan të mbyllur për më shumë se dy orë, derisa policia mbërriti për t’i shoqëruar jashtë shkollës.
Nga ana tjetër, kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, tha se është “i shkatërruar” nga “të shtënat e tmerrshme”.
“Lutjet dhe ngushëllimet e mia më të thella janë me familjet dhe miqtë që humbën të dashurit e tyre në këto akte të tmerrshme dhune”, thotë Carney në një postim në X.
Kryeministri tha se bashkohet me kanadezët në pikëllimin e tyre dhe shpreh falënderimet e tij për “ndihmësit e parë që rrezikuan jetën e tyre për të mbrojtur bashkëqytetarët e tyre”. Ai thotë se qeveria e tij “qëndron me të gjithë banorët e Kolumbisë Britanike ndërsa përballen me këtë tragjedi të tmerrshme”.
Tragjedia në Tumbler Ridge përbën një nga të shtënat më vdekjeprurëse në historinë kanadeze.
Në vitin 2020, një person i armatosur që u paraqit si oficer policie vrau 22 persona në Nova Scotia gjatë një periudhe dyditore.
Dhe në vitin 1989, 14 gra u vranë në një sulm antifeminist në universitetin L’Ecole Polytechnique në Montreal.
Kanadaja ka ligje më të rrepta për armët sesa SHBA, duke i bërë sulmet masive si ky shumë më pak të mundshme atje./kp



















