Kapiten në fushë dhe jashtë saj. Francesco Totti nuk dëshiron të bëhet pengesë për Romën dhe këtë e konfirmon në një intervistë ku sqaron qëndrimin e tij për të ardhmen.
“Dua të sqaroj diçka: Unë nuk kam kërkuar asnjëherë të ndryshoj termat e kontratës. Bashkë me shoqërinë jemi në sintoni të plotë. Është pasioni ai që më mban të lidhur me këto ngjyra. Nuk kam qenë dhe nuk do të jem asnjëherë problem për Romën. Personalisht kur luaj më vjen mirë por për momentin po i vlerësoj gjërat edhe nga jashtë fushës. E ndiej se mund të jap kontributin tim edhe kur nuk luaj. Do ta mbështes skuadrën nga pankina, nga fusha por edhe nga tribuna. Respekti ndaj të gjithëve është shumë i rëndësishëm dhe nuk duhet të mungojë”.
Një deklaratë e qartë që hedh dritë ndaj zërave për mosmarrëveshje mes klubit dhe numrit 10. Në vijim, Totti përqëndrohet te e ardhmja duke theksuar se një vendim përfundimtar do ta marrë gjatë muajit Qershor.
“Gjatë javëve të fundit të kampionatit do të vendoset edhe fati i sezonit dhe ne duhet të arrijmë objektivin duke u kualifikuar matematikisht për në Champions League. Çdokush duhet të bëjë punën e vet dhe duhet të jemi të bashkuar. Kundër Genoas do të luajmë një pjesë të rëndësishme të sezonit dhe jam i sigurt që mund t’ia dalim mbanë”.
Gjatë ditëve të shkuara, mediat italiane zbuluan vendimin e presidentit Pallota për të mos e rinovuar kontratën me kapitenin. Aktualisht, Totti ka një kontratë që e lidh me skuadrën romane deri në vitin 2016