Totti kërkon të thyejë rekordin e Maldinit, gati rinovimi

E publikuar: 21/08/2015 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Francesco Totti nuk njeh limite. Kapiteni i Romës kërkon të rrëmbejë fronin e Paolo Maldinit. Një sforcim më shumë për numrin 10 të Romës sepse atij i mungon edhe një sezon për të thyer numrin e viteve në Serie A gjatë karrierës së tij. Sezoni që nis këtë fundjavë është i 24-ti për kapitenin verdhekuq, vetëm një më pak se ish mbrojtësi i Milanit, por për të barazuar Maldinin, klubi po planifikon rinovimin e kontratës, ç’ka do të thotë se ai do të luajë në Serie A mbi kufirin e 40 viteve mbi supe. Sipas mediave italiane, sulmuesi verdhekuq aktualisht arkëton 2.5 milionë Euro në sezon pa llogaritur bonuset dhe ka një kontratë që skadon në qershorin e vitit 2016.

“Totti do të tërhiqet kur ai vetë ta shikojë të nevojshme“. Ky është qëndrimi zyrtar i klubit dhe në këtë mënyrë drita jeshile mbetet e ndezur sepse arritja e rekordit të Maldinit është një objektiv për kapitenin, i cili kërkon gjithashtu që t’i japë fund aventurës me një tjetër titull të fituar pas atij të 2001-it. Në 23 vite karrierë me fanellën e skuadrës ku u rrit si lojtar, Totti numëron 743 ndeshje të luajtura dhe 299 gola të shënuar. Aktualisht ai mban vendin e dytë në klasifikimin e golashënuesve më të mirë të Serie A me 243 realizime personale, 31 më pak se legjenda Silvio Piola.