Tottenham kishte tre gola epërsi kundër West Ham në xhiron e pestë të Premier Ligës angleze, por në fund u detyrua të kënaqet vetëm me një pikë.
Të përzgjedhurit e Jose Moirinhos nisën mirë takimin duke shënuar tre gola për 16 minuta dhe dukej si një skuadër që duhet të bëjë punën e saj deri në fund të lojës.
Goli i parë u shënua nga Son Heung-min i asistuar nga Harry Kane, i dyti nga Kane i asistuar nga Son. Goli i tretë ishte gjithashtu vepër e Kane, por këtë herë asistent ishte Sergio Reguilon.
Rikthimi i madh i West Ham filloi në minutën 82 kur Fabin Balbuena shënoi golin e parë, pas asistimit të Aaron Cresswell. Goli i dytë ishte në fakt autogol i Davinson Sanchez në minutën 85 dhe barazimi erdhi përmes Manuel Lanzini në minutën e katërt të lojës shtesë.
Në këtë mënyrë Tottenham humbi rastin të jetë në mesin e pesë ekipeve më të mira aktualisht në renditjen tabelare. Skuadra e teknikut portugez është në pozitën e gjashtë me tetë pikë, pesë më pak se lideri Everton me 13 pikë.