Bajram Tmava, avokat i Milazim Haxhiajt, një prej të arrestuarve nën dyshimin për terrorizëm, thotë se klienti i tij nuk ka pasur asnjë plan për të shkaktuar dëmtime në ujin e Badovcit.
Ai thotë se nuk ka ekzistuar asnjë provë për të paraburgosur Haxhiajn, të cilit i është gjetur një flamur me një mbishkrim. Sipas Tmavës, mbishkrimi duhet të deshifrohet në mënyrë që të kuptohet se a është flamur i ISIS-it.
“Asnjë provë nuk ka dëshmuar që të merret masa e paraburgimit. Ne nuk e dimë a është flamur i ISIS-it apo jo. Duhet ta deshifrojë dikush mbishkrimin në atë flamur për të vërtetuar. Në automjetin e të mbrojturit tim nuk është gjetur asgjë. Automjeti i klientit tim ka qenë i huazuar nga një “Rent a Car”. Në atë automjet nuk është gjetur asgjë. Është gjetur vetëm ushqimi, uji dhe batanije për të marrë avdes dhe namaz. Janë gjetur një palë rroba të kamufluara, nuk i cilësoj si ushtarake, dorëza dhe një maskë”, ka thënë Tmava në Interaktiv të KTV-së, raporton Koha.net.
Avokati vlerëson se me këto mjete një person nuk ka mundur të dëmtojë digën e Badovcit. “Dikush mezi s’po pret me e bo mizën buall. Kontaminimi i Badovcit të bëhet me ato mjete… kjo është non-sens. Për një veprim të tillë duhen ushtrime të shumta, zhytje për të parë sa duhet helm për të shkaktuar dëmtime. Nuk është gjetur helm”, ka theksuar ai.
Tmava tregon se është takuar me klientin e tij për të cilin ka përshtypje se është shumë i sinqertë. Ai thotë se nuk do ta mbronte asnjëherë dikë që do të rrezikonte popullatën.
“Milazimi është shumë i sinqertë. Nuk më ka lënë asnjë përshtypje që ka qenë i infiltruar në këtë rast. Po ta dija se veç e ka menduar dëmtimin e digës së Badovcit, nuk do ta mbroja”, thotë Tmava.
Tmava më pas ka shpjeguar situatën se si është gjendur klienti i tij në Badovc për të falur namazin e natës. Sipas Tmavës, Besnik Latifi e kishte ftuar Haxhiajn për të shkuar në Badovc për të falur namazin, por nuk e di përse janë gjetur te liqeni.
“Nuk e di çfarë plane ka pas Besniku. Klienti im ka shkuar në Badovc kah ora 11, 11 e gjysmë. Në një moment një automjet ka mbetur pa derivate, ky ka shkuar me automjetin e tij për të marrë benzinë në pompën më të afërt. Kur është kthyer ka gjetur policinë dhe i është bindur urdhrave të tyre”, ka thënë Tmava.