Tiranë, vdes nga i ftohti foshnja 3 muajshe e komunitetit rom

E publikuar: 28/12/2015 09:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas vdekjes tragjike të foshnjës 1-muajshe në Durrës, një tjetër foshnjë e komunitetit rom ka ndërruar jetë, kësaj here në Tiranë.

Ngjarja ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit në një barakë në zonën e Shkozës ku foshnja 3 muajshe, e seksit femër me inicialet M.M., ka ndërruar jetë si pasojë e të ftohtit.

“Më datë 28.11.2015, në orët e para të mëngjesit, në një barake në zonën e Shkozës, një foshnjë me iniciale M. M, disa muajsh ka ndërruar jetë” thuhet në komunikatën e policisë.

Sipas burimeve, foshnja kishte dy muaj që jetonte në zonën e Shkozës dhe nuk ishte regjistruar në gjendje civile nga prindërit.

Mësohet se nëna e fëmijës është 17-vjeçe dhe së bashku me bashkëshortin dhe një djalin 1 vjeç e gjysmë kishin ardhur nga Peqini për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

Po gjatë këtij muaji, një tjetër foshnjë ndërroi jetë për shkak të të ftohtit. Ngjarja e rëndë u shënua në Durrës, në vendin e quajtur “Ura e Dajlanit”.