Ishte pikërisht vajza 9-vjeçare që theu heshtjen dhe foli me policinë kur ajo mbërriti në banesë, pasi Jetnor Zhabori i kishte kyçur brenda.
Ajo tregoi gjithë sjelljet e të atit dhe se si kur ikte në shkollë kishte merak për të emën, të cilën e gjente gjithmonë duke lotuar, raporton Top Channel.
Sipas gazetares Dorjana Bezat, Zhaboli ka dëshmuar se ka dëgjuar bashkëshorten e tij duke folur me persona të tjerë, kështu që ka instaluar kamera në çdo cep të shtëpisë, të cilat i kishte lidhur me aparatin celular, për t’i mbrojtur ata.
35-vjeçari gjithashtu kishte instaluar pajisje për bllokimin e valëve dhe madje ndërpriste edhe energjinë elektrike. Sipas informacioneve, Zhaboli gjithashtu terrorizonte fëmijët.
Sa herë që ai largohej, u ndalonte komunikimin me persona të tjerë, si dhe ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike, në mënyrë të vazhdueshme, ndaj bashkëshortes.
Kjo jetesë i kishte shkaktuar stres asaj, e cila kishte tentuar vetëvrasjen. Në banesë policia gjeti dy letra që gruaja kishte shkruar për familjaret e saj, ku u linte lamtumirën dhe u kërkonte falje.
35-vjeçari u vu në prangat e policisë së Tiranës një ditë më parë.