Tirana, Muça: Vlerësojmë si finale çdo ndeshje

E publikuar: 01/04/2015 18:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fakti që në mesjavë bardheblutë do të luajnë dhe në Kupë ndaj Laçit nuk e shpërqëndron Muçën nga objektivi kampionatit

Cdo ndeshje është një finale për Tiranën në garën për titullin, dhe cdo javë objektivi për të shpresuar te qëllimi përfundimtar mbetet i njëjti, fitorja. Këtë javë, bardheblutë do të presin Flamurtarin në kryeqytet. Një kundërshtar, të cilin te Tirana e vlerësojnë dhe kjo kuptohet dhe nga fjalët e Gentian Muçës.

“Për ne cdo ndeshje është e rëndësishme dhe e vlerësojmë maksimalisht dhe kjo vlen dhe për Flamurtarin, pavarsisht emrave që do të luajnë. Nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar, pasi te fitorja arrihet vetëm duke qenë i ndërgjegjshëm për kundërshtarin që ke përballë”

Fakti që në mesjavë bardheblutë do të luajnë dhe në Kupë ndaj Laçit nuk e shpërqëndron Muçën nga objektivi kampionatit, pasi sipas tij hapat hidhen një e nga një.

“Tani kemi ndeshjen e kampionatit dhe do të mendojmë fillimisht për të, për Kupën do të fillojmë të mendojmë pasi të kemi fituar me Flamurtarin”.

Në ndryshim nga shokët e tjerë të skuadrës, Muca e pranon se për të arritur te titulli nevojiten jo vetëm fitoret por dhe pak fat.

“Sigurisht që ne shpresojmë të fitojmë sfidat që kemi përpara përballjeve me rivalët direkt, më pas të shohim si do të shkojnë ndeshjet e drejtëpërdrejtë. Për të arritur te titulli duhet dhe pak fat, pasi shpresojmë që rivalët tanë të ndalen diku”.

Në fund 27 vjeçari bën dhe një batutë kur pyetet se sfida me Flamurtarin do të jetë e veçantë për të,duke qenë se ka luajtur në të kaluarën me kuqezinjtë.

“Për mua është ndeshja e 3-të që luaj kundër Flamurtarit në këtë sezon dhe nuk besoj se do të jetë më e veçantë se ato paraardhëse”.

Në këtë sezon Muca deri tani ka luajtur 26 ndeshje në kampionat, duke shënuar dhe 3 gola.