TikTok i reagon Shqipërisë për vendimin e mbylljes së rrjetit

E publikuar: 22/12/2024 17:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kompania kineze e rrjetit social, TikTok, ka reaguar pasi qeveria e Shqipërisë njoftoi se do të mbyllë TikTok për një vit. Ajo thotë se do të kërkojë “sqarime urgjente nga qeveria shqiptare”, lidhur me vendimin për mbylljen e platformës TikTok për një vit në Shqipëri”, shkruan Associated Press.

Sipas vendimit të bërë të ditur dje nga kryeministri Edi Rama prej janarit të 2025 platforma e TikTok nuk do jetë e aksesueshme në territorin e Shqipërisë nga asnjë moshë, si pjesë kjo e një plani për rritjen e sigurisë në shkolla.

Rama tha se vendimi erdhi pas një muaj konsultimesh mes zyrtarëve të arsimit me prindërit pas vrasjes me armë të ftotë të 14 vjeçarit Martin Cani, nxënës i shkollës ‘Fan Noli’, gjatë një konflikti me një tjetër nxënës po i kësaj shkolle, ndodhur më 18 nëntor 2024.

Në një reagim për Associated Press kompania e rrjetit social, TikTok tha se “nuk kishte gjetur ndonjë provë që autori ose viktima të kishte llogari TikTok dhe se raportimet e shumta kanë konfirmuar se videot që çuan në këtë tragjedi ishin postuar në një platformë tjetër, jo në TikTok.”