Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar ndaj kërkesës së TikTok për “sqarime urgjente” në lidhje me vendimin për ndalimin e platformës për një vit. Kompania kineze, sipas Associated Press, kishte kërkuar sqarime nga qeveria shqiptare pas këtij vendimi.
Rama reagoi në platformën X, ku shkruan se Tik Tok nuk ka se çfarë sqarimesh të kërkojë nga Shqipëria, pasi sipas tij, në Shqipëri vendosin shqiptarët jo algoritmi i TikTok-ut.
“Ndalimi i TikTok-ut për (të paktën) një vit në Shqipëri, nuk është një reagim i nxituar ndaj thjesht një ngjarjeje, por një vendim i këshilluar gjerësisht me komunitetet e prindërve në shkollat e gjithë Shqipërisë. Tik Tok-u nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTokut”.
Ai u shpreh se platforma përbën një kërcënim serioz për fëmijët dhe rininë.
“Ndërsa Shqipëria është shumë e vogël për t’i kërkuar TikTok-ut të mbrojë fëmijët dhe rininë nga humnerat e frikshme të algoritmit të tij, por uron që TikTok-u ta bëjë këtë për të mirën e të gjithë njerëzimit, përfshirë edhe Shqipërinë”.
“Të thuash se vrasja e nxënësit adoleshent s’ka lidhje me TikTok-un, sepse konflikti nuk qenka gjeneruar nga Tik Toku do të thotë të mos kesh kuptuar as seriozitetin e kërcënimit që ajo plaftormë ka sjellë për fëmijët dhe rininë e kësaj kohe, as fillin e arsyetimit të vendimit tonë për të marrë përgjegjësinë e reagimit ndaj atij kërcënimi”.
Rama nënvizoi se mbi 90% e prindërve në Shqipëri mbështesin ndalimin e TikTok-ut dhe se vendimi është në interes të mbrojtjes së shëndetit të fëmijëve.
“Fortlumturisht Shqipëria është një vend demokratik, ku kur mbi 90% e prindërve kërkojnë ndalimin e TikTok-ut dhe kur shumica dërmuese beson se shëndeti i fëmijëve tanë nuk mund t’i shërbejë platformës, po platforma duhet t’i shërbejë shëndetit të fëmijëve tanë, atëherë vendimi ynë nuk ka se si të jetë më i qartë: Ose vetë Tik Tok-u duhet t’i mbrojë fëmijët e Shqipërisë ose Shqipëria do t’i mbrojë fëmijët e vet nga TikTok-u.” – e mbyll reagimin e tij kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.