As edhe një investim i vetëm në aparatura nuk është bërë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK për pesë vitet e fundit. Kjo klinikë ballafaqohet me mungesë të infermierëve, pajisjeve, aparaturave të vjetërsuara. Mungojnë edhe barnat, madje edhe ato të listës esenciale.Në Gjinekologji nuk kryhet as shërbimi i laparaskopisë. Drejtoresha e Klinikës Obstetrike Gjinekologjike në Prishtinë Myrvete Paçarada thotë se për këtë çështje ka bërë disa herë kërkesa në Ministri dhe SHSKUK.
Në ndërrimin e natës në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK ndodh që të jetë vetëm një motër infermiere e cila kujdesët për pacientët. Numri i pacientëve për të cilët kujdeset kjo infermiere arrin deri në 60.Drejtoresha e Klinikës Obstetrike Gjinekologjike në Prishtinë Myrvete Paçarada, për Express ka shpjeguar rreth vështirësive me të cilat ballafaqohet kjo klinike gjatë procesit të punës.
“Sa i përket stafit mjekësor mund t’ju them se mjekë kemi mjaftueshëm, por na duhen disa infermierë të rinj. Kemi premtime se do të na lejojnë një kontingjent të infermierëve të cilët janë të domosdoshëm për funksionimin normal sepse ndodhë në 60 pacientë pasdite e kam vetëm një infermiere duke punuar”, thotë Paçarada.
Në këtë Klinikë mungojnë edhe barnat madje edhe ato të listës esenciale. Për këtë çështje, Paçarada thotë se lista esenciale me barna mbulohet deri në 60 për qind.
“Nuk kemi barna të mjaftueshme. Ne nuk mundemi me thanë sot se kemi ergonometrinin, kur nesër mund të mos e kemi progesteronin. Nuk kemi një rrjedhje të vazhdueshme të barnave. Ti nuk e di asnjëherë pa çka ke me mbetë. Lista esenciale diku rreth 60 për qind u plotësua”, shpjegon drejtoresha e Gjinekologjisë në QKUK.
Ajo thotë se disa barna të cilët gjenden në listën esenciale e që mungojnë në Klinikën që ajo drejton, nuk gjenden as në barnatoret e shtetit.
“Ne po u themi pacientëve t’i blejnë barnat e kjo nuk është në rregull. Janë një kontingjent i barnave shembull që nuk i gjen në barnatore, anestetikët nuk i gjen në barnatore”.
SHSKUK nuk ka investuar në aparatura
Ndërkohë qe edhe aparaturat në këtë Klonike janë të vjetërsuara. Paçarada thotë se në pesë vitet e fundit shteti nuk ka investuar në asnjë aparaturë të re për këtë Klinikë. Të gjitha që kanë ardhur sipas saj kanë qenë nga ana e donacioneve të ndryshme.
“Sa i përket aparaturave, çdo aparat i cili ka punuar 5 vite llogaritet si aparaturë e vjetër. Në pesë vitet e fundit asnjë aparat se kemi marrë. Çdo gjë që marrim mund të jetë donacion. Kemi bo kërkesa, nuk ka buxhet, shumë arsyetime. Nuk jemi konkurrent me aparatura në treg. Kur një spital e ka laparoskopin e vet, e ka ultratingullin, atëherë ti nuk je konkurrent me të se ai është para teje”, deklaron ajo.
Megjithëkëtë në këtë klinikë, nuk kryehet as shërbimi i laparaskopisë. Me anë të këtij shërbimi gratë kosovare do të mund të trajtoheshin rreth rasteve gjinekologjie, tumorët e ndryshëm, cistat. Por për këtë shërbim , gratë janë të detyruara të bëjnë operacione të hapura në Gjinekologji, apo të zgjedhin spitalet private të cilat varësisht nga trajtimi, çmimet variojnë nga 1 deri në 3 mijë euro.
Lidhur me këtë çështje, drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, Myrvete Paçarada thotë se ka bërë kërkesa në Ministrinë e Shëndetësisë por edhe vet në SHSKUK për t’u furnizuar me laparaskop tëri. Thotë se laparaskopi aktual që e kanë nuk i plotëson as kushtet minimale për punë. “Laparoskopi është shumë i vjetër nuk punon. Plot operacione që kishin mund të kryheshin më lehtë e më lirë. Ne nuk kemi laparaskop, nuk kemi buxhet për me e ble. Kemi bo kërkesa. Kjo pajisje kushton prej 60 mijë deri në 100 mijë, varësisht nga performanca”, thotë ajo.
Laparaskopi aktual ka 20 vite që shfrytëzohet nga ana e Klinikës së Gjinekologjisë. “Ky që e kemi është i vjetërsuar afro deri në 20 vite. Nuk kemi pjesë rezervë për këtë aparat. Kemi nevojë urgjente për një laparaskop dhe një histstop, me të cilët ishin kursye paratë e Qeverisë sepse për një intervenim shumë të vogël pacientët po na dalin jashtë shtetit”, thotë ajo.
E ndërkohë me anë të kësaj aparature në këtë klinikë do të bëhej edhe diagnostikimi i shtatzënisë jashtë mitrës, sëmundjet inflamatore pelvike, kancerin e organeve riprodhuese, etj. Me anë të operacionit me laparaskop, gratë brenda 24 orëve pas intervenimit do të lidhoheshin për në shtëpi./GazetaExpress/


















