Koalicioni ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është thyer keq. Dy partitë në koalicion i kanë punët shumë keq. Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda Qeverisë së Kosovës.
Sipas këtyre burimeve, deri të kjo thyerje ka ardhur për shkak se ministrat e LDK-së pak nga pak po i largojnë nga pozitat kyçe njerëzit e PDK-së, duke u munduar që t’i sjellin njerëzit e tyre.
“Disa ndryshime që ministri Avdullah Hoti i ka bërë në Administratën Tatimore të Kosovës dhe fillimi i ndërrimit të disa njerëzve në Doganat e Kosovës, ka bërë që të rebelohet PDK-ja”, kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda Qeverisë së Kosovës.
Sipas këtyre burimeve, edhe ministri i Kulturës, Rinisë, sporteve, Kujtim Shala, i cili tash e sa kohë po mundohet që të bëjë disa ndryshime në këtë ministri, sidomos që ta shkarkoj sekretarin e përgjithshëm, Veton Firzi, i cili është njeri i PDK-së, ka bërë që të rebelohen tej mase drejtuesit e partisë më të madhe në vend.
Sipas këtyre burimeve, nuk janë vetëm këta dy ministra që kanë bërë që të vij në pikëpyetje funksionimi i koalicionit. Shumica e ministrave të LDK-së janë duke u munduar që të sjellin njerëzit e tyre nëpër pozita kyçe, çka ka bërë që gjatë ditës së djeshme, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ta thërras në takim urgjent “homologun” e tij nga LDK-ja, Ismet Beqiriin.
Sipas këtyre burimeve, Grabovci ia ka bërë të qartë Ismet Beqirit se nëse do të vazhdoj kjo sjellje kësisoj e ministrave të LDK-së, mund të përfundoj koalicioni ndërmjet dy partive.
“Grabovci madje në një moment i ka thënë Beqirit a është i vetëdijshëm se mund ta hedhin qeverinë Mustafa në votëbesim”, ka thënë ky burim.
Gjithnjë sipas këtij burimi, Grabovci ia ka kujtuar Beqirit se PDK edhe kur e ka udhëhequr qeverinë dhe LDK ka qenë në opozitë, asnjë militant të saj nuk e ka përjashtuar nga puna.
Ndërkaq, Gazeta Blic ka provuar që të kontaktoj edhe me Ismet Beqirin edhe me Adem Grabovcin, për të mësuar më shumë rreth kësaj çështjeje, mirëpo asnjëri prej tyre nuk është lajëmruar në thirrjet e redaksisë.
Në anën tjetër, një zyrtar i lartë i LDK-së në kushte anonimiteti i ka thënë Gazetës Blic se disa nga ministrat e LDK-së, kur i kanë marrë nën drejtimin e tyre shumë prej ministrive, kanë gjetur skandale të mëdha të keqpërdorimit të parasë publike, mirëpo që nuk kanë guxuar që t’i denoncojnë në prokurori apo edhe t’i ndëshkojnë përgjegjësit kryesor.
“Të paktën dy ministra kanë pasur gatishmërinë që të pastrojnë ministritë e tyre prej atyre që keqëprdorën paranë publike, mirëpo kanë ndërhyrë shefat e partive dhe gjithçka tashmë është mbyllut”, ka thënë ky burim.
Koalicioni ndërmjet PDK-së e LDK-së u arrit pas më shumë se 5 muajve që vendi ishte futur në krizë politike, për faktin se partitë që deri atë kohë ishin në opozitë, nuk dëshironin të hynin në koalicion me partinë e Hashim Thaçit.
Mëgjithatë, në fund ishte LDK-ja e Isa Mustafës, ajo e cila pranoi që të hyj në bashkëqeverisje me PDK-së, duke e marrë kështu edhe postin e kryeministrit të vendit.
Analistët politik kanë vlerësuar se LDK është e pafuqishme në bashkëqeverisje me PDK-në, pavarësisht pse e ka postin e shefit të Qeverisë. / Gazeta Blic