Gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë, bazuar në të dhënat e institucioneve të Kosovës, thuhet se kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të abuzimeve seksuale. Këto viktima, janë dhunuar nga pjesëtaret e forcave serbe, gjatë viteve 1998 –99.
Njëra ndër to është edhe Mimoza (emri i të cilës është i njohur për redaksinë), e cila në atë kohë ishte 24 vjeçe. Ajo për Radion Evropa e Lirë ka rrëfyer tmerrin e përjetuar në atë kohë.
“Unë kam qenë fëmija i vetëm në familje. Nuk kam motër as vëlla. Për prindërit e mi kam qenë gjithçka. Në vitin 1999, kanë hyrë tre policë serbë në shtëpi dhe kanë filluar t’i rrahin prindërit e mi. Më pas janë kthyer nga unë dhe prej tre policëve, njëri para syve të prindërve më ka dhunuar. Prindërit e kanë përjetuar shumë keq. Mua më pas më kanë tërhequr zvarrë dhe më kanë lënë në rrugë. Edhe më kanë rrahur shumë”, rrëfen Mimoza.
Viktimat e dhunës seksuale po inkurajohen të mos heshtin, por të kërkojnë drejtësi. Kështu u tha në një konferencë të quajtur “Qasja në drejtësi dhe reparacione për të mbijetuarat e dhunës seksuale të ndërlidhura me konfliktin”.
Flora Macula, ngaorganizata “ Gratë e Kombeve te Bashkuara”( UN Women) zyra në Prishtinë, thotë se Këshilli i Sigurimit deri më tani ka nxjerrë disa rezoluta që kanë të bëjnë me ndalimin e dhunës seksuale. Dhuna seksuale, nënvizoi ajo, njihet si krim ndaj njerëzimit.
“Dhe të gjitha rezolutatfokusohen dhe tërheqin vëmendjen drejtë drejtësisë gjithëpërfshirëse, duke përfshirë masat gjyqësore dhe jo gjyqësore, duke u përqendruar në llogaridhënie për kryerësit e dhunësseksuale në konflikt”, thotë Macula.
Edhe raportuesja e deritashme për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, u ka bërë thirrje të mbijetuarave të dhunës seksuale të mos heshtin, por të ngrisin zërin dhe t’i kërkojnë të drejtat e tyre që të jenë të barabarta në shoqëri. Ajo e ka vlerësuar lartë edhe faktin që në Kosovë kjo temë më nuk është tabu si në të kaluarën.
Në anën tjetër, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se reparacionet për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës janë parakusht për paqe të qëndrueshme në Kosovë.
Që nga themelimi i Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë më 2014, janë bërë disa ndryshime, filluar me ndryshimin e legjislacionit ekzistues, pastaj duke i vënë viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës si kategori ligjore mbi viktimat civile të luftës.
Megjithatë, Jahjaga ka kritikuar Qeverinë për zvarritjen e procesit të kompensimit të të mbijetuarave të dhunës seksuale.
“Në muajin e kaluar, Qeveria e Kosovës ndau 200 mijë euro, si mbështetje fillestare për këtë komision, ndërsa vazhdojnë konsultimet lidhur me kohëzgjatjen e procesit të verifikimit dhe shumën e pensionit për viktimat”.
“Fatkeqësisht, deri më tani, nuk kam parë asnjë plan të veprimit për mënyrën se si është menduar të shkojë fushata vetdijësuese për aplikim dhe vet procesi i aplikimit. Shpresoj se komisioni është duke punuar në këtë drejtim duke respektuar kriterin kryesor: ruajtjen e identitetit të të gjithë aplikantëve”, tha Jahjaga.