Veterani i luftës Henry Walker nga Alabama e Shteteve të Bashkuara, po mundohej të blinte një shalqi në marketin e Walmart, kur i ngeci këmba në paletë dhe derisa ky 59-vjeçar po tentonte të nxirrte këmbën u rrëzua dhe theu legenin, raporton Washington Post.
Por, Walker kishte paditur kompaninë në vitin 2015, dhe sot gjykata e Alabamas ka marrë vendimin në favor të 59-vjeçarit, duke detyruar kompaninë ta dëmshpërblejnë me 7.5 milionë dollarë, transmeton Telegrafi.
“Asnjë njeri nuk do të priste të futet në market me dy këmbët e shëndosha, dhe të dalë me legen të thyer”, ka thënë avokati i Walker-it, Shaun O’Hara.
Ndërkaq, lidhur me vendimin e gjykatës janë deklaruar edhe përfaqësuesit e zinxhirit të marketeve që operojnë në SHBA. Ata kanë pranuar se janë zhgënjyer me verdiktin.
“Vlerësojmë punën e gjykatës, por besojmë se shuma e kërkuar si dëmshpërblim për thyerjen e legenit është paksa e madhe”, ka deklaruar zëdhënësi i Walmart, Randy Hargrove. /Telegrafi/