Merkatoja e Interit u mbyll me një goditje të trefishtë në sekondat e fundit. Zikaltërit zyrtarizuan blerjet e Adem Ljajicit, Felipe Melos dhe Alex Telles. Sulmuesi serb u transferua nga Roma te Interi në formë huazimi për 1,75 milionë Euro me të drejtë blerjeje nga ana e klubit të Thohir, për 9 milionë Euro në përfundim të sezonit. Në formë huazimi Interi mori nga Galatasaray edhe mbrojtësin e majtë brazilian Alex Telles, ndërsa Felipe Melo ishte i vetmi që kaloi në mënyrë përfundimtare te zikaltërit me Interin që i pagoi klubit turk 3,7 milionë Euro për kartonin e ish lojtarit të Juventusit ndërsa mesfushori firmosi me skuadrën e drejtuar nga Roberto Mancini një kontratë 2-vjecare.
Ashtu sic ka bërë me të gjithë futbollistët që janë transferuar te Interi këtë verë duke filluar nga Kondogbia e deri tek Ivan Perisic, presidenti i zikaltërve Erick Thohir u ka uruar mirëseardhjen edhe tre blerjeve më të fundit. Në një prononcim për faqen zyrtare të Interit në internet manjati indonezian shprehet: “Dua t’u uroj mirëseardhjen tre afrimeve të fundit, Felipe Melos, Alex Telles dhe Adem Ljajicit. Melo mund ta bëjë mesfushën tonë më të fortë pasi karakteristikat kryesore të tij janë këmbëngulja deri në limit dhe forca e madhe fizike. Mancini e njeh shumë mirë dhe do të dijë ta menaxhojë si duhet” thekson Erick Thohir.
Më tej presidenti përqëndrohet te Alex Telles: “Telles mund t’i shtojë kualitetin por edhe freskinë skuadrës, një anësor i ri në moshë dhe i shpejtë si ai do ta përmirësojë akoma edhe më teper ekipin”, deklaron indoneziani. Për Adem Ljajicin, Thohir shprehet: “Ljajic e njeh shumë mirë kampionatin italian dhe ky fakt do ta ndihmojë të përshtatet menjëherë me skuadrën“.
Me këto tre blerje shkon në 11 numri i afrimeve te Interi gjatë merkatos së kësaj vere, pas Kondogbias, Mirandës, Murillos, Jovetic, Montoyas, Perisicit, Rey Manajt dhe Jonathan Biabiany.