As thirrja e kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, nuk i ka bindur mësimdhënësit kosovarë që të ndërpresin grevën e nisur të mërkurën.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë për “Kohën Ditore” se greva do të vazhdojë edhe të enjten dhe do të zgjasë deri atëherë kur mësimdhënësit do të kenë dëshmi konkrete se bashkë me pagën e prillit është dhënë edhe shtesa prej 0,5 për qind e stazhit.
Jasharaj ka pohuar se grevat më nuk do të ndalen vetëm me deklarata. Ai këto deklarata i ka dhënë të mërkurën, vetëm pak orë pasi që Qeveria e Kosovës ka diskutuar për këtë çështje në mbledhjen e saj të radhës, në të cilën kryeministri Mustafa ka ftuar mësimdhënësit që të mos mbajnë grevë, sepse, sipas tij, nuk ka arsye për këtë, meqë Qeveria po e zbaton vendimin për pagesën e 0,5 për qind të përvojës së punës.
Kreu i Ekzekutivit ka thënë në mbledhjen e Qeverisë se për arsimin është bërë më shumë se për cilindo sektor tjetër, që paguhet me para të buxhetit.
Kryeministri Isa Mustafa, duke u bërë thirrje arsimtarëve dhe Sindikatës së Arsimit, ka thënë se askush nuk ka të drejtë të paguhet nga shteti dhe të mos e mbajë mësimin, sepse shkollat janë për t’i mësuar fëmijët, e jo për të marrë paga pa punuar.