Themelorja thotë se Prokuroria Speciale kërkoi lirimin me dorëzani të Mefail Shkodrës

E publikuar: 11/08/2025 17:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se Mefail Shkodra dhe djali i tij ishin liruar me dorëzani, ku të njëjtit ishin arrestuar për fajde në verën e vitit të kaluar.

Mefail Shkodra, është i dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë dje në Gjilan. Ai me dy djemtë po kërkohet nga policia, meqë ndodhën në arrati.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi ka njoftuar se në qershor të vitit të kaluar është pranuar kërkesa nga Prokuroria Speciale për caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale të fajdes dhe detyrimit.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special me datë 21.06.2024 ka pranuar kërkesën nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Fajdeja dhe veprën penale Detyrimi. Me datë 21.06.2024 Gjyqtari procedurës paraprake ka mbajtur seancën dëgjimore dhe përmes aktvendimit ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., në kohëzgjatje prej një muaji për secilin, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Fajdeja dhe Detyrimi”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Po ashtu, në njoftim thuhet se në korrik të vitit të kaluar kanë pranuar kërkesën nga Prokuroria Speciale për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj.

“Me datë 12.09.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka pranuar kërkesën nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., ndërsa me datë 19.09.2024 Gjyqtari i procedurës paraprake përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., iu vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj për secilin, e cila masë iu është llogaritur deri me datë 21.11.2024”, thuhet më tej.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka pranuar propozimin për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e dorëzanisë.

“Me datë 08.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka pranuar Propozimin për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., ( lidhur me të pandehurin M.Sh. është propozuar dorëzania në vlerë prej 50,000.00 € (pesëdhjetë mijë euro), ndërsa ndaj të pandehurit E.Sh. është propozuar dorëzania në vlerë prej 20,000.00 € (njëzetë mijë euro). Gjyqtari i procedurës paraprake, me datë 08.10.2024 përmes Aktvendimit ka aprovuar propozimin e PSRK-së për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh. dhe ka obliguar të pandehurit që të lënë në hipotekë njësinë kadastrale në të cilën parcelë janë të ndërtuara dy objekte me shumë totale prej 354.00 euro, e cila shumë siguron vlerën e shumës sa është propozuar vlera e masës së dorëzanisë prej 70.000.00 (shtatëdhjetë mijë euro) nga Prokuroria Speciale, për të pandehurit M.Sh. dhe E.Sh”, thuhet në këtë përgjigje.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi ka bërë të ditur përmes këtij njoftimi se në këtë çështje penale është i përfshirë edhe i pandehuri A. R për “veprat penale Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar të KPRK-së dhe Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse të KPRK-së.

Departamenti Special ka pranuar propozimin për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e dorëzanisë në çështjen penale edhe ndaj të pandehurit A.R., (lidhur me të pandehurin A.R. është propozuar dorëzania në vlerë prej 50,000.00 € (pesëdhjete mijë euro)”.

Edhe për të njëjtin është bërë zëvendësimi i masës së paraburgimit me masën e dorëzanisë.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka thënë se nuk ka pranuar aktakuzë nga PSRK lidhur me çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh.