Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot delegacionin e kongresistëve të Kongresit të SHBA-së, Vern Buchanan, David Price, Adrian Smith, Dina Titus dhe Susan Davis, me të cilët bashkëbisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë si dhe për mundësitë e zhvillimit ekonomik të vendit, transmeton kumtesa presidenciale.
Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e partneritetit të Kosovës me SHBA-në dhe angazhimin amerikan për stabilitetin dhe paqen jo vetëm në Kosovë por edhe në gjithë rajonin e Evropës Juglindore. Ajo tha se vazhdimi i pranisë amerikane, përmes angazhimit në forcën paqeruajtëse të NATO-s, ka një domethënie të madhe për sigurinë dhe paqen në gjithë rajonin dhe është një garantuese e stabilitetit. Ajo theksoi se Kosova sot ka nevojë për forcimin e mëtejmë të partneritetit me SHBA-në për të garantuar suksesin në proceset demokratike në të cilat aktualisht ndodhet.
Anëtarët e delegacionit të kongresistëve të Kongresit të SHBA-së vlerësuan të arriturat e mëdha të Kosovës dhe theksuan mbështetjen e SHBA-së për proceset në të cilat ndodhet vendi. Ata thanë se gjatë vizitës kanë parë kapacitet të mëdha njerëzore dhe resurse natyrore për një zhvillim ekonomik të vendit që do të mundësojë hapjen e vendeve të punës për të rinjtë e Kosovës. Anëtarët e delegacionit theksuan rëndësinë e forcimit të partneritetit të SHBA-së me Kosovën dhe kërkimin e mënyrave të bashkëpunimit më të ngushtë ekonomik, me mundësi të investimeve.