The Geopost: Serbia në panik nga investimet e Kosovës në mbrojtje dhe armatim

E publikuar: 20/12/2025 13:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deklaratat dhe raportimet e fundit nga analistë serbë dhe media pro-regjim në Serbi e kanë kthyer në temë kryesore publike blerjen e sistemeve amerikane dhe investimet e Kosovës në mbrojtje dhe armatim, duke i paraqitur këto zhvillime përmes një narrative alarmuese dhe paniku.

Shkaku kryesor i këtyre reagimeve lidhet me marrëveshjen e nënshkruar në muajin dhjetor ndërmjet Kosovës dhe kompanisë amerikane AM General për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë së lëvizshme HUMVEE Hawkeye 105 mm.

Marrëveshja u bë publike më 17 dhjetor nga ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe u pasua menjëherë nga reagime të ashpra në mediat dhe diskursin publik serb.

Edhe vetë analistë serbë të sigurisë kanë pranuar rëndësinë e kësaj blerjeje.

Eksperti serb i sigurisë Goran Janiqeviq, duke folur në Televizionin Publik të Serbisë (RTS), theksoi se bëhet fjalë për një blerje me peshë të veçantë, duke deklaruar se “kjo është hera e parë që dikush, si subjekt juridik, blen këtë lloj sistemi”.

Megjithatë, Janiqeviq e paraqiti modernizimin e pajisjeve ushtarake të Kosovës si kërcënim për Serbinë.

“Prishtina po blen nga Amerika helikopterë Black Hawk dhe automjete të blinduara Humvee. Sipas paralajmërimeve, nga viti i ardhshëm do të ketë në dispozicion edhe të parat nga 246 raketa amerikane kundërtanke Javelin. Deri në fund të vitit 2026 planifikohet të përfundojë edhe fabrika e municionit në Gjakovë, si dhe objekti prodhues për dronë në Gjilan, dronët e parë të të cilit Albin Kurti i prezantoi muajin e kaluar”.

“…Në katër vitet e fundit, autoritetet e Prishtinës kanë investuar 430 milionë euro në forcimin e njësive të tyre të armatosura. Qëllimi i tyre, siç ka deklaruar Kurti, është që në katër vitet e ardhshme të shpenzojnë dyfish më shumë –1 miliard euro,” tha Janiqeviq.

Narrativa e panikut u amplifikua më tej nga portale dhe media serbe me orientim pro-qeveritar dhe pro-presidentit Aleksandar Vuçiq.

Portali BLIC shkroi se “Prishtina po armatoset: blen sisteme amerikane të artilerisë që kombinojnë obuzin 105 mm me një automjet të lehtë ushtarak”, duke e paraqitur marrëveshjen si zhvillim kërcënues për sigurinë rajonale.

Në të njëjtën linjë raportuan edhe mediat B92 dhe Telegraf RS, të njohura për afërsinë e tyre me pushtetin në Beograd, të cilat përdorën tone alarmiste në titujt e tyre: “Prishtina po armatoset! Po blen obuzë amerikanë Hawkeye: Çfarë janë ato dhe pse konsiderohen të rrezikshme?”

Aktorët politikë dhe mediatikë në Serbi e kanë paraqitur si arsye për shqetësim edhe faktin se Qeveria e Kosovës, në vitet e fundit, ka rritur ndjeshëm buxhetin për sektorin e mbrojtjes.

Për vitin aktual, buxheti i ndarë për këtë sektor arrin në 207.8 milionë euro, një shifër që në diskursin publik serb interpretohet si tregues i “militarizimit” të Kosovës.

Këto raportime dhe deklarata janë një përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar një narrativë frike rreth forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, pavarësisht faktit se investimet në fjalë janë bërë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe në përputhje me procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë moderne dhe profesionale, të orientuar drejt standardeve euroatlantike./TheGeopost/